LSDM konfirmon se Bogojev është arrestuar: “Përndjekje politike për të shpërqendruar opinionin publik”

LSDM përmes një njoftimi konfirmoi se është arrestuar ish-kryetari i Komunës së Karposhit dhe ish-drejtori i Administratës Doganore, Stefan Bogoev. Nga opozita thonë se kryeministri Hristijan Mickoski prej ditësh e kishte paralajmëruar arrestimin e tij dhe akuzojnë se bëhet fjalë për përndjekje politike me qëllim shpërqendrimin e opinionit publik.
“Në ditën kur presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, mbërriti në Maqedoni dhe konfirmoi atë që SDSM e ka thënë vazhdimisht, se pa përfshirjen e pakicave në Kushtetutë nuk ka lëvizje përpara, pikërisht atëherë hapet rasti për Stefan Bogojev. A ka ndonjë që beson në këtë gjyqësor dhe prokurori të partizuar pas porosive të Mickoskit nga foltorja e Kuvendit, në televizion dhe në fund drejtpërdrejt përmes telefonit? A ka ndonjë që mund të thotë se ky është një rast real apo bëhet fjalë për një rast të montuar pikërisht në ditën kur Mickoski përballet me kritika dhe kur të gjitha gënjeshtrat e tij para qytetarëve dalin në pah?”, pyesin nga LSDM.
Nga partia thonë se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe përpjekje për të shmangur vëmendjen nga kritikat që vijnë nga Bashkimi Evropian, pasi edhe një herë është konfirmuar se Maqedonia e Veriut po qëndron në vend për shkak të krimit dhe korrupsionit të pushtetit dhe për shkak të mungesës së reformave.
“Këtë e di më së miri vetë Mickoski, i cili sot sillet si organizator i çdo procesi në shtet. Ai me ‘ndjenjat’ e tij prej ditësh e paralajmëronte publikisht këtë arrestim. Ndërkohë që inskenon spektakle për publikun, mbeten pa përgjigje shumë pyetje serioze. Prej muajsh nuk ka përgjigje se çfarë ndodhi me pesë tonë drogë që kaluan kufirin dhe përfunduan te partia motër SNS. Nuk ka përgjegjësi për një sërë skandalesh të publikuara nga ekipi antikorrupsion i SDSM. Nuk ka asgjë për 161 tenderë për një kompani familjare të Tomovskit, për 93 tenderë për Mastef, për 51 tenderë për ‘Piramid Building’, për 74 tenderë për ‘Lendi Group’, për 9 milionë euro për një kompani me vetëm dy të punësuar, për një tender prej 1.2 milionë eurosh përmes Postës për një kompani të afërt me ZNAM. Nuk ka luftë kundër krimit dhe korrupsionit, nuk ka reforma, nuk ka përparim drejt BE-së”, thonë nga LSDM.
Në vend të institucioneve që funksionojnë në mënyrë të pavarur, shtojnë nga partia, po shihen paralajmërime publike për hetime dhe arrestime nga vetë kryeministri Mickoski, gjë që sipas tyre konfirmon dyshimet serioze për ndikim të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.
“Kjo teknikë, fillimisht paralajmërim, pastaj arrestim dhe më pas fushatë kundër opozitës – është praktikuar prej vitesh nga Vuçiqi. Mickoski edhe këtu po vepron me parimin ‘copy-paste’. Duke ditur se VMRO ka humbur rreth 150 mijë vota dhe se për shkak të gënjeshtrave të Mickoskit rejtingu i tij po bie ndjeshëm, qytetarët mund të mendojnë se edhe kjo është një tjetër nga fushatat e njohura PR të VMRO-së dhe grupit të organizuar kriminal. Në vend të rezultateve, shohim spektakle. Në vend të reformave, shohim teatër politik. Në vend të përgjigjeve për problemet reale të qytetarëve, shohim përpjekje për shpërqendrim të opinionit publik. Mickoski vazhdimisht krijon teatër për publikun. Teatër ka çdo ditë. Rezultate nuk ka. Prandaj Maqedonisë i duhen gjyqësor i pavarur, prokurori e pavarur dhe bashkëpunim me Prokurorinë Publike Evropiane,” thonë nga SDSM.



