Gjermani, AfD ngre kallëzim penal kundër kancelarit Merz për komentet e tij për “spastrim etnik”

AfD-ja e Gjermanisë ngriti kallëzim penal kundër kancelarit Friedrich Merz, për shkak të deklaratës së tij se politika e migracionit e partisë së ekstremit të djathtë përbën “spastrim etnik” për punëtorët e kualifikuar, raportoi sot gazeta “Bild”, transmeton Anadolu.
Sekretari i grupit parlamentar të AfD-së, Stephan Brandner tha se vërejtjet e Merzit janë “të natyrës kriminale” dhe “plotësisht të papranueshme”. Grupi parlamentar qëndron “fortësisht në bazën e kushtetutës”, shtoi ai.
Në përballjen e tij të parë publike me AfD-në që nga fitorja e bujshme e zgjedhjeve të së dielës në landin lindor Saksoni-Anhalt, Merz tha në një debat të trazuar parlamentar se partia e ekstremit të djathtë do t’i vërë sëpatën njërit prej shtyllave të ekonomisë gjermane me një fushatë raciste të dëbimit masiv.
“Termi ‘emigrim’ nuk është gjë tjetër veçse një sinonim i spastrimit etnik bazuar në origjinën dhe ngjyrën e lëkurës”, tha ai të mërkurën duke u duartrokitur nga partitë e tjera në parlament.
Për ekstremistët, termi “emigrim” i referohet dëbimit masiv të njerëzve me prejardhje emigrantësh. Shërbimi i brendshëm i inteligjencës gjermane, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e karakterizon riemigrimin si një koncept që “synon të krijojë shoqëri të përcaktuara etnikisht dhe në këtë mënyrë të dëbojë të gjithë “të huajt”.
Në programin e saj zgjedhor në Saksoni-Anhalt, AfD bëri thirrje për politika “emigrimi” për të përshpejtuar dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminelëve të huaj.



