“Shkup- Bllacë”, 85% e tokave janë shpronësuar! Zekolli: Autostrada lëshohet në përdorim verën e 2030-s

Procesi i shpronësimit të pronave për ndërtimin e segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë po vazhdon. Nga gjithsej 304 prona private që përfshihen në trasenë e këtij segmenti, deri më tani kanë mbetur vetëm 45 parcela pa u shpronësuar.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka deklaruar se procedura e shpronësimit po ecën mirë dhe se pritjet janë që segmenti i dytë i autostradës të përfundojë plotësisht deri në verën e vitit 2030.
Ajo bëri të ditur se Ministria e Transportit në muajin gusht ka dhënë lejen për ndërtim, ndërsa investitor i projektit është Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore“.
“Për projektin Shkup-Bllacë, siç dihet në muajin gusht dhamë leje për ndërtim si ministri e Transportit, ndërsa pjesën tjetër e ka Ndërmarrja publike ‘Rrugët shtetërore’ e cila është investitore. Kanë filluar punimet në terren. Ka pasur një periudhë 60-ditore për realizuesin e punimeve dhe mbikëqyrësin për t’u dhënë mundësi përgatitjeje për fillimin e punimeve si dhe për vendosjen e pajisjeve të nevojshme në terren“, ka deklaruar Zekolli.
Ndërtimi i segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë është një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore që synon përmirësimin e lidhjes rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Sipas autoriteteve, kompensimi për pronat private bëhet në bazë të kategorisë së tokës. Për tokën bujqësore të kategorisë së tretë dhe të katërt parashihet kompensim prej 960 denarësh për metër katror, për tokën bujqësore të kategorisë së parë dhe të dytë 1.200 denarë për metër katror, ndërsa për tokën ndërtimore pa leje ndërtimi kompensimi arrin në 3.000 denarë për metër katror.
Autostrada do të ketë 5 tunele, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri dhe 9 mure mbajtëse. Financimi është siguruar përmes një huaje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 167,6 milionë eurosh, një granti prej 30,82 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mjeteve nga buxheti i NPRRSH-së për shpronësim, si dhe mjeteve grant për projektuesit “Hill International” dhe “ADT Omega”.

