Durmishi: Komisioni Evropian konfirmon progresin në punësim, papunësia bie në 11,5 për qind

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar se politikat për rritjen e punësimit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë po japin rezultate konkrete, të cilat janë evidentuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

Sipas ministrit Durmishi, rritja e punësimit dhe ulja e papunësisë dëshmojnë përparimin e arritur në tregun e punës, ndërsa mbështetja për të rinjtë mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

Të dhënat tregojnë se shkalla e punësimit ka arritur në 59,3 për qind, ndërsa papunësia ka rënë në 11,5 për qind, nga 13,1 për qind sa ishte në vitin 2023.

Një vëmendje e veçantë në politikat që udhëheq ministri Durmishi i kushtohet punësimit të të rinjve. Përmes masës “Garancia për të rinj”, vetëm gjatë vitit 2025 janë punësuar mbi 6.800 të rinj, ndërsa mbi 1.400 të tjerë janë përfshirë në masa aktive të punësimit.

Raporti i Komisionit Evropian evidenton gjithashtu zbatimin e Ligjit për angazhimin e personave në punë, i cili përmes regjistrimit elektronik dhe thjeshtësimit të procedurave u mundëson punëtorëve sezonalë dhe të përkohshëm të angazhohen në mënyrë të ligjshme.

Ministri Durmishi ka nënvizuar se vlerësimi i Komisionit Evropian përbën një motivim shtesë për të vazhduar me politikat dhe reformat që synojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.

“Vlerësimi i Komisionit Evropian na jep edhe më shumë vullnet për të vazhduar punën. Çdo i ri që gjen punë na kujton pse ia vlen ky angazhim, gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, është shprehur Durmishi.

Për ministrin Besar Durmishi, rezultatet e arritura janë një nxitje për të vazhduar angazhimin institucional drejt një tregu pune më gjithëpërfshirës, me më shumë mundësi për të rinjtë dhe me politika që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të qytetarëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button