“Flluskë konvertimet” si pseudo-mesianizëm kombëtar

Fenomeni i konvertimeve 2024 është defilim i një fetarie provokative që s’lë ndonjë gjurmë të madhe reale në arealin e grafikoneve të përkatësisë, kjo ngase këto inskenime nuk kanë gjetur dhe nuk mund të gjejnë jehonë në en masse. Momentumi historik i myslimanëve të rrethuar nga të katër anët, i islamofobisë planetare dhe të gjitha komploteve dhe orkestrimeve të shtytura s’kanë bazë sociologjike për një konvertim masovik.

Ali PAJAZITI, Shkup

Kohëve të fundit në opinionin publik shqiptar aktuale janë skenat audio-vizuale të konvertitëve të rinj, që në një komunitet me shumicë absolute myslimane, me medialitet të akceleruar, bëjnë aktin kufitar antroplogjik të ndërrimfesë, gjegjësisht të kalimit nga “islami stërgjyshor në katolicizmin edhe më stërgjyshor”. Ky fenomen ndërshqiptar, i çuditshëm dhe me gjasë i sinkronizuar, i njerëzve që heqin dorë nga një lloj spiritualiteti dhe kalojnë në një tjetër, është për t’u analizuar thellësisht, ngase kjo temë daton qysh nga fundi i shekullit të kaluar, XX, kur ka pasur thirrje intelektuale për rikthim në “fenë e të parëve”, braktisje të Islamit dhe kthim në Krishterim, gjegjësisht në Katolicizëm, duke ekskomunikuar në thirrje Ortodoksinë, thuajse s’ekziston fare ndër shqiptarë!

Fetaria e inatit

Konvertimi fetar është një proces që sjell një ndryshim kapital në përkatësinë fetare, botëkuptimin dhe identitetin e njeriut; procesi i konvertimit vendos në mënyrë dialektike (dhe shpesh ndryshon) vetë entitetet në të cilat dhe nga të cilat njerëzit konvertohen. (Gooren, 2016) Konvertimi është një hap fundamental, radikal, që sjell lëkundje te njeriu vetë, në psikologjinë e tij, por edhe në sjellje, në përditshmëri, në jetën shoqërore, andaj nuk është punë çasti, e atypëratyshme, as pjesë e “fast culture”. Nëse ndodh kështu, kemi të bëjmë me një difekt personaliteti dhe fetarie. Zakonisht, njeriu që e ndjen thekshëm nevojën për një tërësi të re të kuptimeve, shndërrohet në kërkues, në person i cili në mënyrë aktive kërkon sistem besimor alternativ të kënaqshëm. Kërkuesi zakonisht provon shumë besime dhe praktika alternative (Balch & Taylor, 1977). Në shek. IX dhe X “të krishterët aspirues për t’u bërë myslimanë, së pari visheshin si myslimanët, pastaj e mësonin Kur’anin dhe i hynin literaturës islamike.” (Dauti, 2024) Po i pyete konvertitët tanë kosovarë nga Islami në Katolicizëm, ndodh që shumica s’e kanë idenë për kredon, ritualet, ceremonitë, figurat, historinë e asnjë feje. Në një artikull të botuar në “Medium” (2019) thuhet se një ateist harxhon 5 vite duke i studiuar fetë botërore dhe tek më pas bëhet i krishter evangjelist i pagëzuar. Sipas një sociologieje amerikane, “të konvertuarit bëjnë krahasimin e së keqes dhe palumturisë së mënyrës paraprake të jetesës me mrekullinë e rrugës së re të tyre.” Këta tanët në mënyrë stihike bëjnë hapa të paarsyetuar dhe të pamatur mirë. Pra, kemi të bëjmë me rifetarizim inati. Kjo më së miri përshkruhet në “Himnin e shejkerëve”, të cilin në vitin 2007 e kemi përkthyer në kuadër të projektit McGuire, Religjioni: Konteksti social:

Marrëdhëniet që dikur i kam pasur me njerëz time feje,

farefisi e gjaku im, të gjithë janë shumë larg meje.

Sa më keq t’i shoh e sa më të dëshpëruar,

sa më shumë t’i urrej bëhem më i përkushtuar… (në Kanter, 1972:90)

 Individualitete krizologjike

Konvertimet që muajve të fundit janë aktuale në Kosovë janë shprehje e lirisë së besimit dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në ndërmarrje të tilla të njerëzve. Por, ama, kur kjo bëhet me tendencë për të sulmuar një të kaluar mbi gjashtëshekullore dhe mbi 70-përqindëshin e komunitetit gjitëshqiptar, kjo është një goditje e trungut fetar dhe kombëtar. Në veçanti kur kemi përvojën e konvivencës ose bashkëjetesës tolerante brendashqiptare mes përkatësive fetare, gjegjësisht muslimanë-të krishterë. Është shumë banale, edhe kulturologjikisht, dhe sociologjikisht e paqëndrueshme që të shpallen fetarisht regresivë muslimanët e të promovohet një shpëtimtari në një fe tjetër, gjegjësisht në një fraksion të Kristianizmit. Kjo është një formë e mbjelljes ose kalljes së urrejtjes ndërfetare, një formë e nxitjes së “luftës vëllavrasëse”. Krizën individuale, por edhe familjare, që e ka dikush, është e drejtë e çdokujt që ta shprehë edhe me kalim andej, këndej, të konvertohet edhe në agnosticizëm dhe ateizëm (Oxford Bibliographies), por kjo krizë nuk guxon të kolektivizohet ose të imponohet si krizë masovike dhe mobilizim social. Kjo është mundësi që e ka dhënë i ashtuquajturi postmodern turn, një perspektivë kulturore kjo që thekson një shoqëri më fluide në të cilën kemi varietete të interpretimeve, skepticizmit dhe ndryshimit (amendment). Nëse dikush ka ndjenjë jokomoditeti dhe patologjie lidhur me atë që është, s’ka të drejtë që atë ta imponojë me dhunë mediale, publicistike e të ngjashme. Politizimi i fesë duke quajtur një fraksion fetar “letërnjoftim origjinal i shqiptarisë” dhe duke bërë prozelitizëm tendencioz dhe përçarje është akt social irracional.

Është e çuditshme që kjo shfaqet te njerëz që kanë deficitaritet fetar, të cilët duke shfrytëzuar edhe inferioritetin global të myslimanëve, krizën e vet identitare mundohen ta imponojnë si tendencë, që në fakt nuk është. Kjo gjë vërtetohet shkencërisht, sepse shumica e besimtarëve myslimanë ndjehen komodë në atë që janë. Edhe pas rreth 45 vjetëve të ateizmit rigjid në Shqipëri, pas censusit të fundit, INSTAT-i shpalli se 56,7 % të qytetarëve të Shqipërisë ishin deklaruar si myslimanë, 2,09 % bektashinj, 10,03 % katolikë dhe 6,75 % ortodoksë. Pra, në zonën dikur më të zbehtë të fetarisë njerëzit sërish kanë shprehur ndjesinë religjioze, Иslamin e tyre, kështu që nuk ka ndonjë tkurrje masovike të trungut musliman. Për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në veçanti në këtë të fundit, kurba e fetarisë islame gjithnjë ka qenë stabile, madje në rritje në periudhën e revitalizimit global të fesë (Pajaziti, 1998).

Lëpirje ose oportunizëm vetëmashtrues

Fenomeni i konvertimeve 2024 është defilim i një fetarie provokative që s’lë ndonjë gjurmë të madhe reale në arealin e grafikoneve të përkatësisë, kjo ngase këto inskenime nuk kanë gjetur dhe nuk mund të gjejnë jehonë në en masse. Momentumi historik i myslimanëve të rrethuar nga të katër anët, i islamofobisë planetare dhe të gjitha komploteve dhe orkestrimeve të shtytura s’kanë bazë sociologjike për një konvertim masovik. Këtë që е bëjnë individë të caktuar s’kanë guxuar ta bëjnë as figura të mëdha, udhëheqës popullorë ta paskomunizmit, të cilët ndonëse kanë shprehur simpatitë e tyre spirituale, fetarinë ose përkatësinë fetare e kanë shndërruar në “sekret që morën me vete”. Figurat e Rugovës dhe e Arben Xhaferit sot e këtë ditë mbeten enigmë në aspekt të (i)religjiozitetit të tyre.

Këto kalime në katolicizëm në fakt janë flluska që plasin dhe humben shpejt, ngase nuk kemi një fetari organike, analiza, qofshin edhe të një fetari të rëndomtë. Kjo fetari e politizuar, për t’u dukur më simpatik aleatëve dhe botës perëndimore, nuk pi ujë, sepse të dhënat demografike janë të qarta, konkrete, i di gjithë bota. Mesianizmi, soreriologjia, shpëtimtarizmi që premtohet me kalimin në “fenë e re të vjetër”, janë të rrejshme, sepse asnjë shtet nuk të ndihmon dhe të mbështet vetëm pse je bashkëfetar i tij. Në politikë ka interesa para së gjithash. Ndërrimi i fesë nga një grusht njerëzish s’i bie në sy askujt në botë. Konvertimet publike janë spektakël. Sipas Debord-it, jetojmë pikërisht në shoqërinë e spektaklit. Kemi të bëjmë me naiv-oportunizëm se ç’ke me të. Identitet i ri dhe „superior“ (Glanz & Harrison) nuk ndërtohet me llafe para kamerave, por me punë dhe suksese që avancojnë imazhin individual dhe kolektiv. “Fetaria deçanase” me patriotizëm e kombëtarizëm të theksuar e pa teologji, pa afirmim vetjak të besimit (Sinani, 2024), në bazë të formulës “ashtu dhe aty kanë qenë paraardhësit tanë”, është më tepër një zë që humbet në horizont.

Autokritikë: Myslimanët janë mësuar që vetëm të tjerët të kalojnë në Islam dhe këtë e ceremonializojnë nëpër xhami dhe institucione globalisht. Muhamed Ali, Yusuf Estes, Murad Hofmann, Bilal Philips, Pierre Vogel dhe shumë të tjerë anonimë që kanë kaluar në Islam janë ngritur në qiell për vendimin e tyre shpëtimtar, e kur kemi kalime andej, pra në fe tjetër? Nuk mundet të tjerët (kristianë, hebrenj, budistë, ateistë…) kur vijnë kah ne kjo të jetë në rregull, e kur shkojnë andej, të piskasim. Shpërfillet e vërteta se ka pasur, ka dhe do të ketë edhe kalime vice versa, na pëlqen kjo ose jo. Ky është ligj i Zotit: “Kush do le të besojë, kush do le të mohojë!” Përgjegjësinë dhe pasojat i ka ai që konvertohet, këtu dhe në botën në të cilën besojmë edhe ne edhe të krishterët, por edhe ai që minimalisht kur i kthehet e drejta e shkelur këlthit “Epo, ka një Zot!”. Deçani and co.! Laissez faire, laissez passer. Lërini, do kalojë. Kjo eufori.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button