Çka po ndodhë me Ligjin për Dhomat e Specializuara!?

Shkruan: Skënder Musliu
Në dy shkrimet e mia paraprake, kam bërë një analizë më të detajuar lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, kurse tani do të përmendi një arsye komplementare se, a do të mund të zbatohet ky ligj, edhe përkundër euforisë së shfrenuar të PAN-it dhe OVL-UÇK-ës, që po bëhet me tepër për përfitime politike, sesa për mbrojtjen e të akuzuarve të Hagës, e në veçanti, dhe fatkeqësisht, duke i futur në një « valle » të rezikshme edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për çka faktori ndërkombëtar dhe Gjykata Speciale mund t’i kualifikojë si ndërhyrje në drejtësi.
Me të drejtë, shtrohet pyetja se, plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorisë Speciale që e miratoi Kuvendi i Kosovës me 6 tetor, a mund të zbatohen ?! Sigurisht se, nga aspekti juridik, jo. Kjo nga fakti se Dhomat e Specializuara nuk janë formuar vetëm me Ligjin për Gjykatën Speciale, por kjo gjykatë është produkt i disa nismave dhe zhvillimeve juridike.

Së pari, ajo që i parapriu këtij proçesi, janë korespodencat mes përfaqësueses së lartë të BE-së, Caterine Ashton dhe ish presidentes Altifete Jahjaga, të cilat u shndërruan në Marrëveshje Ndërkombëtare, e që u miratua – ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 2014, duke e marrë fuqinë e ligjit.

Së dyti, më 2015, Kuvendi i Kosovës bëri ndryshime në Kushtetutë dhe me nenin 162 rregulloi organizimin, funksionimin dhe juridiksionin duke krijuar bazën kushtetuese themelimit të Dhomave të Specializuara.

Së treti, lidhur me Gjykatën Speciale me seli në Hagë, ekziston një Marrëveshje Ndërkombëtare mes Kosovës dhe Holandës, e cila prodhon obligime të ndërsjella, që nuk mund të shkëputet në mënyrë unilaterale.

Është shumë e logjikshme se, ligjin që e miratoi Kuvendi i Kosovës me 6 tetor, nuk mund të jetësohet, sepse ai është në kundërshtim flagrant me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe në kundështim me obligimet e Kosovës që i ka marrë përsipër ndaj BE-së. Neni 162, në mënyrë ekskluzive dhe eksplicite, të gjitha kompetencat për funksionimin e Gjykatës Speciale ia ka deleguar Dhomave të Specializuara. Kjo don të thot se, për çdo ndërhyrje në rregullativën normative, respektivisht edhe në ligjin e Dhomave të Specializuara, vlerësimin e kushtetutshmërisë, në mënyrë ekskluzive dhe pa përjashtim e bënë Dhoma e Veçantë e Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë, e cila, në bindjen time, ligjin do t’a shpallë në kundërshtim me Kushtetutën.

PAN-i dhe OVL-UÇK-ët, pa kurfar argumenti kritikojnë punën e Gjykatës Speciale, madje që nga fillimi i proçesit gjyqësor në mënyrë sistematike kanë ndërhyrë në administrimin e drejtësisë. Me këtë rast, dua t’ua përkujtoj këtyre, faktin se, Gjykata Speciale punon me ligjet e Kosovës, është nën juridiksionin e Kosovës, dhe se kjo gjykatë, nuk ia ka grabitur Drejtësisë së Kosovës kompetencat apo juridiksionin. Prandaj Gjykata Speciale është e obliguar t’i respektojë dhe zbatojë në praktikë gjatë proçesit gjyqësor, nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, miratuar më 2015, Marrëveshjen Ndërkombëtare me BE-në që Kuvendi e ka ratifikuar më 2014, Ligjin mbi Gjykatën Speciale të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015 si dhe Marrëveshjen Ndërkombëtare me Holandën.Të gjitha këto, Gjykata Speciale, nuk i ka hartuar as nuk i ka miratuar, por është e obliguar t’i zbatojë ato, sepse politikanët e inkrimunuar dhe të papërgjegjshëm kanë vendosur kështu.

Dhe tani, ata që po kritikojnë dhe protestojnë, në vend të çohen kundër politikanëve që Kosovën e sjellën në këtë situatë, ata kritikojnë dhe e bëjnë fajtor Gjykatën Speciale, e cila është e obliguar ti zbaton ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Çfar hipokrizie, çfar ironie, çfar nomenklaturë e korruptuar politike që me 6 tetor Kosovën e sollën në prag të grushtshtetit dhe gjakderdhjes për një ligj që ata vet e « prodhuan ».

Si përfundim, kisha dashur të potencoj një dukuri të papranueshme dhe të rrezikshme, që manifestohet nëpër debate televizive që nga fillimi i proçesit gjyqësor, në të cilat, shumë kolegë të mi, avokat, në vend të japin spjegime profesionale të bazuara në ligj dhe Kushtetutë, ata bëjnë komente që i politizojnë ligjet duke ua humbur substancën juridike. Kjo po ndodhë edhe me ligjin në fjalë, me ç’rast me komentet e tyre bashkë me lidershipin e PAN-it dhe OVL-UÇK-ës po i rrisin pritshmëritë në opinion, duke krijuar narrativa të gabuara, që pastaj mund të shkaktojnë pasoja të rënda, siç ndodhi me protestat e fundit para Kuvendit, ku masa nën ndikimin e propagandës së rreme, gati nuk shkaktoi gjakderdhje.

PS.

Gjykoj se, ligjet nuk mund të bëhen sipas porosisë, si rrobaqepësi që bënë kostumin sipas masës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button