Raporti i ri për Epsteinin: Ish-missi akuzon Trumpin për përdhunim brutal në hotel

Demokratët në Komitetin për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë publikuar një raport prej 52 faqesh, ku paraqiten akuza për përfshirjen e pretenduar të presidentit amerikan Donald Trump në abuzimet seksuale të lidhura me Jeffrey Epstein. Në raport, demokratët akuzojnë gjithashtu Departamentin amerikan të Drejtësisë për fshehje të provave dhe dokumenteve nga publiku dhe Kongresi. 
Dokumenti analizon dëshmitë e 11 grave, pesë prej të cilave, sipas raportit, e akuzojnë drejtpërdrejt Trumpin për vepra të rënda seksuale, në praninë e Epstein ose në rrethin e tij. Demokratët kanë kërkuar emërimin e një prokurori të posaçëm të pavarur për të hetuar lidhjet e Trumpit me Epstein dhe mënyrën se si kanë vepruar institucionet e drejtësisë.
Ish-missi pretendon se është përdhunuar nga Trumpi
Ndër akuzat më serioze është ajo e Beatrice Coyle, ish-konkurrente zvicerane në konkurset e bukurisë. Ajo pretendon se në nëntor të vitit 1993, Trumpi e ka përdhunuar me dhunë në një apartament të hotelit “Plaza” në Nju-Jork, gjatë konkursit “American Dream”.
Sipas dëshmisë së saj, po atë ditë ajo ishte takuar me Jeffrey Epsteinin, i cili i ishte prezantuar si “miku më i mirë i Donit”. Raporti vëren se në një deklarim të mëparshëm, gruaja e kishte përshkruar ngjarjen si një tentativë përdhunimi që kishte arritur ta parandalonte, pa sqaruar arsyen e ndryshimit në dëshmi.
Përmendet edhe një vajzë 14-vjeçare
Raporti përmend gjithashtu dokumente të brendshme të FBI-së dhe marrjen në pyetje të Ghislaine Maxwell në vitin 2025. Sipas demokratëve, Epstein e kishte dërguar një vajzë, e identifikuar me pseudonimin “Jane”, te Trumpi në pronën e tij Mar-a-Lago, kur ajo ishte 14 vjeçe.
Dokumenti vë në pikëpyetje edhe deklaratën e Trumpit se e kishte përjashtuar Epsteinin nga klubi i tij në Florida. Sipas raportit, një dokument i vitit 2009 përmban deklaratën se Epsteinit nuk i ishte kërkuar asnjëherë të largohej nga klubi.
Shtëpia e Bardhë i mohon akuzat
Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si përpjekje të demokratëve për të larguar vëmendjen nga arritjet e republikanëve.
Deri më tani, sipas raportimit, akuzat e përfshira në këtë dokument nuk kanë çuar në ngritjen e një çështjeje penale kundër Trumpit. Prandaj, pretendimet duhet të trajtohen si akuza të raportuara, jo si fakte të vërtetuara nga gjykata.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button