Aleati i Netanyahut, partia “Judaizmi i Bashkuar i Torës” refuzon ta rekomandojë atë për kryeministër

Partia izraelite “Judaizmi i Bashkuar i Torës”, ndonëse aleate politike e kryeministrit Benjamin Netanyahu, refuzoi sot ta rekomandojë atë për formimin e qeverisë së ardhshme, ndërsa presidenti Isaac Herzog vazhdoi konsultimet me partitë parlamentare, transmeton Anadolu.
Vendimi u mor gjatë një takimi mes përfaqësuesve të partisë dhe Herzogut, në ditën e dytë dhe të fundit të konsultimeve me partitë që fituan vende në zgjedhje. Përfaqësuesit e “Judaizmit të Bashkuar të Torës”, që ka shtatë vende në Parlament (Knesset), deklaruan se nuk do të rekomandojnë asnjë kandidat për kryeministër.
Megjithatë, partia la të hapur mundësinë e mbështetjes së një kandidati që do të përmbushë kërkesat e saj, veçanërisht lejimin e hebrenjve ultraortodoksë, të njohur si haredimë, që t’i përkushtohen studimit të Torës si dhe arritjen e një marrëveshjeje për shërbimin e tyre ushtarak.
Qëndrimi i kësaj partie ndryshon nga ai i aleates së saj fetare, Shas, e cila të mërkurën rekomandoi Netanyahun për mandatin e formimit të qeverisë. Vendimi i “Judaizmit të Bashkuar të Torës” mund ta ulë numrin e deputetëve që rekomandojnë Netanyahun nga 53 në 46 ndërsa pritet që 67 deputetë të mbështesin liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, kreun e partisë Yashar.
Pozita politike e Netanyahut është dobësuar nga fitoret e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, të cilat i dhanë një goditje presidentit Donald Trump, një aleat i rëndësishëm i kryeministrit izraelit. Rezultatet e zgjedhjeve kanë ngritur shqetësime në Izrael lidhur me ndikimin e mundshëm të tyre në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit.
Partitë opozitare hebraike, që kanë 48 vende në Knesset, kanë bërë të ditur se do ta rekomandojnë Eisenkotin. Pritet që ta rekomandojnë atë edhe 19 deputetë arabë nga Lista e Përbashkët dhe Lista e Bashkuar Arabe, e njohur gjithashtu si Ra’am.
Herzogu i nisi sot konsultimet me një takim me përfaqësuesit e “Judaizmit të Bashkuar të Torës”. Ai ishte planifikuar të takohej veçmas edhe me përfaqësuesit e Otzma Yehudit, Demokratëve, Ra’am, Listës së Përbashkët, Yashar dhe, në fund, Likud.
Pritet që Herzogu t’i ngarkojë një deputet të Knessetit formimin e qeverisë në ditët në vijim. Mediat izraelite kanë raportuar se Eisenkoti mund ta marrë mandatin për shkak të numrit të pritshëm të deputetëve që do ta rekomandojnë atë, krahasuar me mbështetësit e Netanyahut.
Megjithatë, marrja e mandatit nuk do të garantonte suksesin e Eisenkotit në formimin e qeverisë, pasi atij do t’i nevojitej mbështetja e të paktën 61 prej 120 deputetëve të Knessetit. Eisenkoti ka thënë se synon të formojë “qeveri sioniste”, por nuk ka shpjeguar se si do ta arrijë këtë, duke pasur parasysh se kampi i tij ka nevojë për mbështetjen e deputetëve arabë.
Disa parti hebraike të opozitës kundërshtojnë pjesëmarrjen e arabëve në qeveri ose mbështetjen e tyre për formimin e saj. Ndërkohë, partitë arabe kanë shprehur gatishmërinë për t’i siguruar një “rrjetë sigurie” parlamentare qeverisë së drejtuar nga Eisenkoti, pa qenë pjesë e saj.
Në këmbim, ato kërkojnë garanci për qytetarët arabë, përfshirë ndalimin e shembjes së shtëpive dhe nxitjes së urrejtjes, marrjen e masave kundër kriminalitetit dhe hapjen e një perspektive politike për palestinezët.



