Ferati: Ndërkulturalizmi dhe kohezioni social, themel i një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet bashkësive etnike, avancimit të politikave ndërkulturore dhe ndërtimit të një shoqërie ku barazia, respekti i ndërsjellë dhe bashkëpunimi janë vlera themelore.
Duke folur në takimin konsultativ për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për ndërkulturalizmin dhe kohezionin social 2027–2032, ministri Ferati vlerësoi se ky dokument duhet të shërbejë si një instrument konkret për krijimin e politikave publike të zbatueshme, garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe forcimin e kohezionit shoqëror.
“Ndërkulturalizmi dhe kohezioni social janë parakushte të rëndësishme për zhvillimin demokratik, stabilitetin institucional dhe avancimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut”, tha Ferati.
Sipas tij, vizioni i institucioneve është ndërtimi i një shteti të barabartë, ku dallimet etnike, fetare dhe sociale shihen si vlerë e shtuar për shoqërinë, duke kaluar nga bashkëjetesa formale drejt ndërveprimit aktiv, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Ai kërkoi angazhim më të madh të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe përcaktimin e masave konkrete, objektivave të qarta dhe treguesve të matshëm, të cilët do të mundësojnë monitorimin dhe vlerësimin efektiv të zbatimit të strategjisë.
Ministri gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë që rezultatet e procesit konsultativ të shndërrohen në zgjidhje legjislative dhe politika publike konkrete, të cilat do të sjellin ndryshime të prekshme në shoqëri.
Në fund, Ferati falënderoi Misionin e OSBE-së në Shkup për mbështetjen e vazhdueshme dhe ekspertët e përfshirë në këtë proces, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët mund të ndërtohet një Maqedoni e Veriut më kohezive, gjithëpërfshirëse dhe më e begatë.



