Murtezani: Në NATO nuk ka aleatë të vegjël dhe të mëdhenj, çdo vend ka kontributin e vet

Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Maqedonisë së Veriut në NATO, Orhan Murtezani, ka bërë të ditur se në takimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fokus ishin çështjet me interes të përbashkët për Aleancën, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe siguria në Ballkanin Perëndimor.
Murtezani theksoi gjithashtu kontributin e vendit në misionin KFOR dhe rëndësinë e solidaritetit mes aleatëve.
“Sot, në takimin e Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fokus ishin çështjet me interes të përbashkët për Aleancën.
Diskutuam për kontributin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e vendimeve të samiteve në Hagë dhe Ankara, veçanërisht në drejtim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, gatishmërisë dhe kapaciteteve industriale të Aleancës.
Një vend të veçantë zuri Ballkani Perëndimor, kontributi i Maqedonisë së Veriut në misionin KFOR dhe roli ynë më i gjerë në mbështetjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në NATO nuk ka aleatë të vegjël dhe të mëdhenj. Çdo vend ka zërin dhe kontributin e vet, ndërsa forca e Aleancës buron nga përkushtimi i përbashkët, solidariteti dhe gatishmëria për të marrë përgjegjësi për sigurinë tonë të përbashkët”, ka shkruar Orhan Murtezani.



