Tronditet politika gjermane, gjendet i vdekur në një hotel zëvendëskryeministri i Bavarisë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Bavarisë, Hubert Aiwanger, është gjetur i vdekur në një dhomë hoteli në Berlin, të mërkurën. Policia gjermane ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes së politikanit 55-vjeçar.
Sipas një deklarate të policisë, Aiwanger u gjet pa shenja jete në dhomën e tij të hotelit, në lagjen Berlin-Mitte. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe për të përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një pale të tretë.
Aiwanger, i cili drejtonte partinë populiste Votuesit e Lirë dhe mbante gjithashtu postin e ministrit të Ekonomisë në Bavari, ndodhej në kryeqytetin gjerman për inaugurimin e një zyre të re të partisë së tij. Megjithatë, ai nuk mori pjesë në aktivitet, pasi nuk ishte ndier mirë, raportoi gazeta gjermane Bild. Trupi i tij u gjet më vonë në hotel.
Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder, e cilësoi vdekjen e tij si një “tragjedi absolute”.
“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Mendimet tona tani janë para së gjithash me familjen dhe fëmijët e tij”, deklaroi Söder.
Partia Votuesit e Lirë ishte partnere e vogël në qeverinë rajonale të Bavarisë, të drejtuar nga Unioni Kristian Social (CSU) i Soderit.
Aiwanger drejtonte degën bavareze të Votuesve të Lirë që prej vitit 2006. Nën udhëheqjen e tij, partia hyri për herë të parë në qeverinë e landit në vitin 2018, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm vende për t’u përfaqësuar në parlamentin federal të Gjermanisë.
Karriera e tij politike u shoqërua edhe me polemika. Në vitin 2023, ai u përball me reagime të forta pas raportimeve se, kur ishte 17 vjeç dhe nxënës shkolle, kishte shkruar një pamflet antisemitik, në të cilin kampi i Aushvicit përshkruhej si një “lagje argëtimi”.
Aiwanger mohoi se ishte autori i pamfletit, megjithëse pranoi se kishte pasur një ose disa kopje të tij në çantën e shkollës. Ai kërkoi falje për këtë çështje, por refuzoi të jepte dorëheqjen.
Politikani 55-vjeçar kishte dy fëmijë dhe jetonte me partneren e tij.



