Driton Sulejmani merr pjesë në Simpoziumin e 5-të Ndërkombëtar për Gjuhën Turke dhe Turkologjinë në Ballkan

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë sot në Shkup në Simpoziumin e 5-të Ndërkombëtar për Mësimdhënien e Gjuhës Turke dhe Turkologjinë në Ballkan, ku edhe ka mbajtur fjalim.
Simpoziumi i sivjetmë iu kushtua temës “Letërsia popullore dhe kultura gojore në Ballkan”, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve arsimore, akademikë, studiues dhe organizata kulturore nga rajoni dhe më gjerë.
Në fjalimin e tij, Sulejmani theksoi rëndësinë e gjuhës dhe kulturës turke si pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore, si dhe rolin e letërsisë popullore dhe traditës gojore në ruajtjen e kujtesës kolektive të popujve.
“Letërsia popullore dhe tradita gojore përfaqësojnë kujtesën kolektive të popujve tanë. Përmes tregimeve, këngëve, legjendave dhe proverbave, ne ruajmë vlerat, përvojat dhe urtësinë e brezave, duke forcuar njëkohësisht dialogun dhe mirëkuptimin ndërkulturor.
Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, mbetemi të përkushtuar ndaj promovimit të arsimit cilësor, shumëgjuhësisë, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe forcimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Gjuhët dhe kulturat nuk na ndajnë, por na pasurojnë dhe na afrojnë me njëri-tjetrin”, ka shkruar Driton Sulejmani.



