Ndërtim urash me fjalë të urta dhe poezi me fjalë të zgjedhura, është libri më i ri i publicistit Iljasa Salihu

Aforizmat janë fjalë të urta dhe të shkurtra, por të cilat lindin nga një lexim, përvojë dhe vëzhgim i gjatë, kurse lexuesi mund ta merr në formën më të mirë. Në aforizma goditësi nuk përmend emra, kurse i godituri mund ta nxisë të menduarit dhe ta hedh hapin drejt përmirësimit pa e ditur se ishte i goditur me ato fjalë të urta. Përmes këtyre aforizmave dhe poezive, autori ndërton urë mbi lumin e keqkuptimit dhe ujërave të ndotura. Lexuesi mund të kalojë përmes kësaj ure pa u lagur fare. Autori në emër të urtësisë dhe të metaforës nuk e fsheh aq ngjeshur mendimin, saqë nesër edhe vetë autori të mund të hutohet se çfarë ka dashur të thotë autori, por as nuk e jep mendimin aq të gatshëm, saqë nesër të krijojë lexues me mendim dhe shprehje të cekëta. Ai qëndron në mes, mund të kuptohet, por pak duhet shpërpushjeje. Po ashtu, edhe poezitë në këtë libër janë me domethënie të thellë, ku trajtohen shqetësimet që mbisundojnë në këtë kohë dhe në këto treva. Mes tjerash, për botimin e këtij libri, autori Salihu shkruan: “Jo se nuk do të shkruaj edhe në të ardhmen, por edhe nëse nuk do të mund të shkruaja, besoj se gjërat më të rëndësishme që janë zier e përzier në pellgun e mendjes dhe në luginën e zemrës sime, tashmë i kam thënë dhe i kam shkruar, përmes të cilave mirëfilli mund ta kuptoni shqetësimin dhe synimin tim, po ashtu përmes tyre edhe personalitetin dhe karakterin tim. Në këtë libër, “Ndërtim urash me fjalë të urta (aforizma, këshilla dhe poezi)”, duke i shfrytëzuar gjinitë letrare, aforizmën dhe poezinë, jam munduar t’i them disa gjëra që në gjini të tjera plotësisht nuk do të mund t’i thosha. Sjelljet e njerëzve i kam përkthyer në fjalë dhe pastaj fjalët në këshilla dhe në kritika, prej të cilave mund të përfitojnë vetëm ata që vetes dhe rrethit ia duan të mirën. Falënderoj Zotin për botimin e librit të dymbëdhjetë, pastaj shokun tim të studimeve, me të cilin kurrë nuk i dobësuam lidhjet, Berat Dakaj dhe shtëpinë e tij botuese, “Armagedoni”, të cilët e morën përsipër botimin e këtij libri. Lexim të dobishëm!”




