U kapën me armë, municione dhe lëndë narkotike, 15 të arrestuar në Durrës

Janë arrestuar dhe ndaluar 15 persona, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje pas zhvillimit të operacionit policor të koduar “Summer”
Nga hetimet, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për 16 persona, duke arrestuar 13 dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë. Ndër të arrestuarit janë D.M., F.D., F.T., D.Sh., S.L., M.L., S.S., K.S., M.J., E.P., G.T., R.K., dhe Z.H.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë Xh.Xh., 27 vjeç, për posedim droge dhe M.M., 23 vjeç, për posedim armësh. Katër persona të tjerë janë proceduar penalisht për posedim të vogël të lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona celularë, 7 automjete, peshore elektronike dhe një shumë parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet hetimore janë dorëzuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.