Tërmet 5.0 pranë Los Anxhelosit, mbi 40 pasgoditje dhe panik në aeroport e në bregdet

Zona e Los Anxhelosit në Kaliforni u godit të shtunën në mëngjes nga një tërmet me magnitudë 5.0. Lëkundjet shkaktuan panik te banorët dhe turistët, ndërsa gjatë ditës u regjistruan më shumë se 40 pasgoditje.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti kryesor ndodhi rreth orës 09:30 me orën lokale. Epiqendra ishte afërsisht 6 kilometra në perëndim-jugperëndim të qytetit bregdetar Manhattan Beach, në një thellësi prej rreth 12 kilometrash.

Lëkundjet u ndien në një territor të gjerë. Në Santa Monica u drodhën ndërtesat dhe u lëkundën pemët, ndërsa raportime pati edhe nga Pasadena, rreth 43 kilometra larg epiqendrës. Pranë bregdetit, njerëzit dolën me nxitim nga disa dyqane dhe në parkingjet e supermarketeve u ndezën alarmet e makinave.
Në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit u thyen xhama dhe ranë disa pllaka tavani. Udhëtarët u futën përkohësisht poshtë tavolinave, përpara se të dilnin nga ndërtesa për t’iu shmangur një rreziku të mundshëm.

Uduak Akpanakpauyo, një udhëtare nga Houston, tha se ishte pranë një sporteli të United Airlines kur nisi të ndiente lëkundjet. Ajo pa copa xhami të thyera të binin pranë saj, duke rrezikuar ta godisnin në kokë. Sipas saj, ndërtesa po dridhej aq fort sa nuk e dinin nëse do të shembej.

Akpanakpauyo tregoi se kjo ishte hera e parë që përjetonte një tërmet dhe se përvoja e kishte frikësuar shumë. Autoritetet e aeroportit njoftuan se fluturimet vazhduan normalisht dhe se kontrollet fillestare të pistave nuk zbuluan probleme.
Megjithëse lëkundjet ishin të forta, autoritetet lokale thanë se deri më tani nuk ishin raportuar të lënduar apo dëme materiale të konsiderueshme.

Pasgoditjet nisën vetëm pak minuta pas tërmetit kryesor. Sizmologët e Institutit të Teknologjisë në Kaliforni (Caltech) regjistruan të paktën 40 të tilla gjatë ditës. USGS vlerësoi në 30% mundësinë e një pasgoditjeje me magnitudë 4.0 ose më të lartë.

Në orën 11:41, zona u godit nga një tjetër tërmet me magnitudë 4.5. Pas kësaj lëkundjeje, Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit u rikthye në gjendje gatishmërie për emergjenca sizmike. Një pasgoditje tjetër, me magnitudë 4.0, u regjistrua pak pas orës 20:00 pranë brigjeve të Hermosa Beach, në rreth 12 kilometra thellësi.

Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, njoftoi se vlerësimi i dytë i kryer në të gjithë qytetin nuk kishte zbuluar dëme të mëdha në infrastrukturën kritike. Ndërkohë, autoritetet e Manhattan Beach mbyllën përkohësisht skelën e qytetit si masë paraprake dhe u kërkuan banorëve e vizitorëve të mos shkonin në atë zonë.

Aktiviteti sizmik vuri në punë edhe sistemet e sigurisë në dy rafineri nafte. Në rafinerinë Torrance pati një djegie të paplanifikuar të gazrave, kurse në rafinerinë Chevron në El Segundo u aktivizuan automatikisht flakët e sigurisë. Autoritetet lokale thanë se nuk ishte raportuar ndikim jashtë mjediseve të rafinerive.

Ndeshja e futbollit amerikan mes ekipeve universitare UCLA Bruins dhe USC Trojans, e zhvilluar në stadiumin Rose Bowl në Pasadena, u luajt sipas programit pavarësisht lëkundjeve.

Të dhënat e USGS tregojnë se ky ishte tërmeti më i fortë në zonën e Los Anxhelosit që nga viti 2014. Atë vit, La Habra, në kontenë Orange, u godit nga një tërmet me magnitudë 5.1.

Ekspertët shpjeguan se tërmeti i së shtunës ndodhi më në thellësi, gjë që ndikoi në përhapjen e valëve sizmike drejt sipërfaqes. Sizmologia e USGS, Elizabeth Cochran, tha se valët duhet të përshkojnë një distancë më të gjatë kur burimi i tërmetit është më i thellë. Për këtë arsye, intensiteti i lëkundjeve mund të jetë më i ulët në disa zona.

Lucy Jones, eksperte e gjeofizikës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni dhe drejtuese e Qendrës për Rezistencën ndaj Fatkeqësive, tha se tërmeti ishte ndier në pjesën më të madhe të pellgut të Los Anxhelosit. Ajo e përshkroi si një nga lëkundjet më të mëdha të regjistruara në këtë zonë prej një kohe të gjatë.

Jones bëri të ditur se gjatë javës së fundit kishin ndodhur edhe tre tërmete me magnitudë rreth 3. Njëri prej tyre ishte regjistruar pranë epiqendrës së tërmetit të së shtunës dhe, sipas saj, mund të shihet si lëkundje pararendëse.

Ekspertja tha se numri i pasgoditjeve të së shtunës ishte relativisht i lartë, por mbetej brenda kufijve normalë të aktivitetit sizmik. Ajo kujtoi se pellgu i Los Anxhelosit ka kaluar një periudhë relativisht të qetë që prej tërmetit shkatërrues të Northridge në vitin 1994, i cili kishte magnitudë 6.7. Sipas Jones, 12 vite pa një tërmet me magnitudë mbi 5.0 janë një periudhë shumë e gjatë për historinë sizmike të Los Anxhelosit.

Kryebashkiakja Bass u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë veprimtaritë e përditshme. Ajo kujtoi se tërmetet ndodhin shpesh në këtë zonë dhe tha se, ndonëse kjo lëkundje ishte më e rëndësishme dhe më pranë Los Anxhelosit, nuk kishte arsye për të ndërprerë aktivitetet normale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button