Tragjedi në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë: Katër viktima pas përplasjes së BMW-së me një kamion

Një aksident i përmasave tragjike me pasoja të rënda ka ndodhur në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona kanë humbur jetën pas një përplasjeje të fuqishme mes një veture të tipit BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.
![]()
Sipas informacioneve të deritanishme, përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti BMW të përfshihet menjëherë nga flakët. Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa makina është shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Nga goditja e fuqishme, edhe kamioni ka dalë jashtë rrugës, duke përfunduar pranë anës së qarkores.
Ende nuk ka të dhëna të plota lidhur me gjendjen e drejtuesit të kamionit apo identitetin e viktimave. Forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente ndodhen në vendngjarje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e kësaj tragjedie të rëndë rrugore. /Alsat.mk/

