Belgjika nis hetime për pjesëmarrës të mundshëm belgë në “safari me snajper” gjatë rrethimit të Sarajevës

Prokurorët belgë kanë hapur hetim për përfshirjen e mundshme të shtetasve belgë në të ashtuquajturat “safari me snajper” gjatë Luftës së Bosnjës në vitet 1990, raportuan të enjten mediat lokale, transmeton Anadolu.
Hetimi i prokurorisë federale vjen pas një hetimi të nisur nga prokurorët në Milano të Italisë në nëntor të vitit të kaluar lidhur me pretendimet se shtetas të huaj kishin udhëtuar në Sarajevën e rrethuar, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, dhe kishin paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar civilë gjatë konfliktit.
Pretendimet dolën pas hulumtimit të gazetarit dhe autorit italian Ezio Gavazzeni, investigimi i të cilit pretendon se pjesëmarrës nga disa vende, përfshirë Belgjikën, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, mund të kenë marrë pjesë në këto aktivitete.
Sipas gjetjeve të Gavazzenit, individët dyshohet se kanë paguar deri në 100 mijë euro ose më shumë për të marrë pjesë në të shtënat ndaj civilëve në Sarajevë.
Prokurorët thanë se kanë hapur hetim bazuar në informacionet e raportuara në media, por refuzuan të japin më shumë detaje, raportoi transmetuesi belg në gjuhën flamande VRT të mërkurën.
Veçmas, prokurorët austriakë nisën më herët këtë javë një hetim për përfshirjen e mundshme të dy të dyshuarve austriakë.
Sarajeva u sulmua më 6 prill 1992 dhe mbeti nën rrethim për më shumë se tre vjet. Gjatë kësaj periudhe u vranë 11.541 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë. Infrastruktura e qytetit dhe shumë objekte historike e kulturore u dëmtuan rëndë.


