Mbi 42 mijë shqiptarë morën shtetësinë italiane dhe greke në vitin 2024

Mbi 42 mijë persona me shtetësi të mëparshme shqiptare fituan shtetësinë italiane ose greke gjatë vitit 2024, duke i renditur shqiptarët në krye të listës së natyralizimeve në të dyja vendet.

Sipas raportit “International Migration Outlook 2026” të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), gjithsej 42 mijë e 546 persona me shtetësi të mëparshme shqiptare u natyralizuan në Itali dhe Greqi brenda një viti.

Në Itali, shtetësinë e këtij vendi e fituan 31 mijë e 643 persona me shtetësi të mëparshme shqiptare, ndërsa në Greqi ky numër arriti në 10 mijë e 903.

Shqiptarët përbënin grupin më të madh të të natyralizuarve në të dyja shtetet. Në Itali, ata u renditën para marokenëve, me 27 mijë e 638 raste, dhe rumunëve, me 14 mijë e 763.

Edhe në Greqi, shqiptarët kryesuan bindshëm. Nga gjithsej 14 mijë e 896 shtetësi të dhëna gjatë vitit 2024, rreth 73 për qind, përkatësisht 10 mijë e 903, iu dhanë personave me shtetësi të mëparshme shqiptare.

Të dhënat e OECD-së tregojnë se në Greqi numri i natyralizimeve të shqiptarëve u rrit nga 9 mijë e 943 në vitin 2023 në 10 mijë e 903 në vitin 2024. Në Itali, përkundrazi, u shënua një rënie e lehtë, nga 31 mijë e 728 në 31 mijë e 643.

Trendi është edhe më i theksuar kur shihen shifrat në një periudhë më të gjatë kohore. Gjatë viteve 2014–2024, Italia regjistroi mbi 320 mijë natyralizime të personave me shtetësi të mëparshme shqiptare, ndërsa Greqia mbi 160 mijë.
Kërkesat për azil, një tjetër panoramë e emigracionit
Ndryshe nga shifrat e natyralizimeve, statistikat për kërkesat e reja për azil paraqesin një tablo tjetër të emigracionit shqiptar.

Në Greqi, 600 shtetas shqiptarë paraqitën kërkesa të reja për azil gjatë vitit 2025, krahasuar me 590 në vitin paraprak. Megjithatë, ky numër mbetet dukshëm më i ulët se kulmi prej 3 mijë e 125 kërkesash, i regjistruar në vitin 2018.

Ndërkaq, në Irlandë, kërkesat e reja për azil nga shtetasit shqiptarë arritën në 190 gjatë vitit 2025, nga 180 sa ishin në vitin 2024. Edhe në këtë shtet, shifrat janë shumë më të ulëta se kulmi prej 970 kërkesash, i regjistruar në vitin 2019.

Natyralizimet dhe kërkesat për azil përfaqësojnë dy procese të ndryshme migracioni. Të parat lidhen me fitimin e shtetësisë së vendit pritës nga persona me histori migracioni, ndërsa të dytat me kërkesat e reja për mbrojtje ndërkombëtare.

Raporti i OECD-së nuk specifikon nëse personat që fituan shtetësinë italiane ose greke gjatë vitit 2024 kanë hequr dorë edhe nga shtetësia shqiptare. Për këtë arsye, këto shifra nuk nënkuptojnë automatikisht se Shqipëria ka humbur po aq shtetas.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button