GJND-ja ngre shqetësime në Izrael me vendimin për gjenocidin në Mianmar, në kuadër të çështjes për Gazën

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), sipas të cilit Mianmari ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya, ka ngritur shqetësime në Izrael lidhur me padinë e Afrikës së Jugut për gjenocid kundër Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Uebfaqja izraelite e lajmeve “Ynet” citoi zyrtarë të lartë, të cilët e përshkruan vendimin si “një precedent të rrezikshëm” për Izraelin. “Ky vendim përcakton parametra dhe standarde që nuk mund të zbatohen domosdoshmërisht drejtpërdrejt ndaj Izraelit, por hap një derë të re”, thanë zyrtarët.
“Ai para së gjithash, vendos parimin se një shtet mund të mbahet përgjegjës për gjenocid dhe se qëllimi për kryerjen e gjenocidit mund të dëshmohet”, shtuan ata.
Sipas raportimit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), gjykata më e lartë e OKB-së, vendosi të enjten se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya gjatë operacioneve ushtarake të vitit 2017 në veri të shtetit Rakhine.
Gjykata urdhëroi Mianmarin të dëmshpërblejë viktimat dhe të marrë masa për të parandaluar shkelje të mëtejshme. Vendimi u cilësua si hera e parë që GJND-ja e shpall drejtpërdrejt një shtet përgjegjës për kryerjen e gjenocidit.
– Ekspertët izraelitë paralajmërojnë për pasojat në çështjen e Gazës
Vendimi vjen në një kohë kur Afrika e Jugut po ndjek çështjen për gjenocid kundër Izraelit në GJND. Afrika e Jugut e paraqiti padinë më 29 dhjetor 2023, duke e akuzuar Izraelin për shkelje të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 gjatë fushatës së tij ushtarake në Rripin e Gazës.
Avokatja izraelite në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, Tammy Caner tha se vendimi për Mianmarin mund të ketë pasoja të rëndësishme për procesin gjyqësor kundër Izraelit.
“Vendimi lidhur me Mianmarin përbën precedent të rëndësishëm që mund të ketë pasoja për procesin gjyqësor kundër Izraelit”, tha Caner. Ajo theksoi se ky vendim shënon herën e parë që gjykata më e lartë e OKB-së “përcakton se një shtet mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kryerjen e gjenocidit”.
Profesori në Universitetin Hebraik të Kudsit, Yuval Shany tha: “Vendimi lidhur me Mianmarin duhet ta shqetësojë Izraelin”.
Lufta në Gaza dhe shkeljet e armëpushimit
Ofensiva ushtarake e Izraelit në Gaza, e nisur në tetor 2023, ka shkaktuar vrasjen e mbi 74 mijë palestinezëve dhe plagosjen e mbi 175 mijë të tjerëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë.
Ofensiva ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës së enklavës. Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në tetor 2025, ushtria izraelite ka vazhduar të kryejë sulme në territorin palestinez.
Sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen e 1.662 palestinezëve dhe plagosjen e 6.007 të tjerëve deri të enjten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.



