Sondazhi i ri zbulon rënie të besimit ndaj SHBA-së nën Trumpin midis aleatëve kryesorë

Besimi ndaj Shteteve të Bashkuara si partner i besueshëm ka rënë ndjeshëm te shumë nga aleatët më të afërt të Washingtonit, sipas një sondazhi të ri të publikuar të martën, ku presidenti Donald Trump ka marrë vlerësime më të ulëta besimi edhe se presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu.

Sondazhi i Qendrës së Hulumtimeve Pew, i cili ka përfshirë 42.151 të rritur në 36 vende midis 8 shkurtit dhe 13 majit 2026, ka gjetur se vetëm një mesatare prej 23 për qind e të anketuarve kanë shprehur besim te Trumpi për të “bërë gjënë e duhur lidhur me çështjet botërore”, ndërsa 76 për qind kanë thënë se nuk kanë besim tek ai.

Trump është renditur pas presidentit francez Emmanuel Macron (43 për qind), presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy (35 për qind), Xi Jinping (34 për qind) dhe Vladimir Putin (31 për qind) në krahasimin global të besimit. Vetëm kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, me 18 për qind, është renditur më poshtë.

Trump ka marrë vlerësimet më të larta në Filipine, ku 68 për qind kanë shprehur besim tek ai. Ai është vlerësuar gjithashtu pozitivisht në Izrael, ku 66 për qind kanë shprehur besim dhe 33 për qind kanë thënë se nuk kanë besim. Shumica në Nigeri, Kenia dhe Gana gjithashtu kanë shprehur besim te presidenti amerikan.

Ndërkohë, vetëm 6 për qind e të anketuarve në Turqi kanë shprehur besim te Trump, ndërsa 92 për qind kanë thënë se nuk kanë besim tek ai. Në territoret palestineze të Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor, besimi ka qenë vetëm 4 për qind, krahasuar me 89 për qind që kanë shprehur mosbesim.

 

– Rënia e besimit ndaj SHBA-së në Evropë, Amerikën Latine dhe Azi

Perceptimi i SHBA-së si partner i besueshëm ka rënë ndjeshëm në gjithë Evropën, me Hungarinë dhe Poloninë si të vetmet vende të anketuara ku shumica vazhdojnë ta shohin Washingtonin si të besueshëm, ndërsa besimi ka rënë me 28 deri në 52 pikë përqindjeje në tetë vende të tjera që nga viti 2022.

Vetëm 8 për qind në Suedi, 10 për qind në Francë dhe 15 për qind në Gjermani kanë thënë se SHBA-ja i merr parasysh interesat e tyre, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është pak më lart me 26 për qind. Hungarezët, me 35 për qind, janë më të prirurit në Evropë për ta menduar këtë.

Në Gjermani, përqindja që ka thënë se SHBA-ja merr parasysh interesat e vendeve të tjera ka rënë nga 60 për qind në vitin 2023 në 23 për qind sot.

Në Azi, besimi te presidenti amerikan ka variuar nga 39 për qind në Indi dhe 35 për qind në Sri Lanka, deri në 25 për qind në Japoni, 22 për qind në Korenë e Jugut dhe 18 për qind në Australi.

Në Amerikën Latine, asnjë vend i anketuar nuk ka regjistruar shumicë besimi te Trumpi. Vlerësimet më të larta në rajon kanë ardhur nga Kolumbia me 43 për qind, e ndjekur nga Peruja me 31 për qind dhe Brazili me 30 për qind.

 

– Roli i SHBA-së në çështjet botërore

Vetëm 35 për qind në 36 vende kanë thënë se SHBA-ja kontribuon për paqen dhe stabilitetin në botë, një rënie e ndjeshme që nga viti 2023.

Një mesatare prej 76 për qind nuk e ka miratuar mënyrën se si Trump ka trajtuar luftën në Gaza, ndërsa 74 për qind nuk e kanë miratuar qasjen e tij ndaj Iranit.

Politikat e tij tarifore kanë marrë kundërshtimin më të gjerë, me 77 për qind mosmiratim globalisht, duke arritur në 92 për qind në Gjermani, 86 për qind në Korenë e Jugut dhe 85 për qind në Japoni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button