Afër 300 mijë kanadezë nënshkruajnë peticionin për largimin e ambasadorit amerikan

Afër 300 mijë kanadezë kanë nënshkruar një peticion që i kërkon qeverisë ta shpallë “person non grata” ambasadorin amerikan, Pete Hoekstra dhe të kërkojë largimin e tij për shkak të ndërhyrjes së pretenduar në punët e brendshme të vendit, transmeton Anadolu.

Peticioni online ka mbledhur 285.921 nënshkrime dhe është sponsorizuar nga deputetja e Partisë së Gjelbër, Elizabeth May.

Në peticion thuhet se ambasadori Hoekstra “ka bërë vazhdimisht deklarata publike që dëmtojnë marrëdhëniet diplomatike Kanada-SHBA”, përfshirë cilësimin e zgjedhjeve federale kanadeze të vitit 2025 si “anti-amerikane”.

Ambasadori gjithashtu akuzohet se i ka dhënë legjitimitet kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për aneksimin e Kanadasë si “shteti i 51-të”, duke i cilësuar këto deklarata si një “shprehje përzemërsie”.

Në peticion pretendohet se Hoekstra ka bërë “ndërhyrje të përsëritura në diskursin politik kanadez, në kundërshtim me protokollin diplomatik”, ndërsa njëkohësisht ka akuzuar Kanadanë për ndërhyrje në politikën e brendshme amerikane.

Peticioni e lidh më tej Hoekstran me një aplikacion për identifikimin e votuesve, me bazë në Michigan, të përdorur nga projekti separatist Centurion Project në Alberta, ndërsa pretendon se ai nuk kishte dijeni për përdorimin e tij.

Në peticion thuhet gjithashtu se Alberta Prosperity Project është takuar tre herë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, nga prilli i vitit 2025 deri në janar të vitit 2026.

Sipas peticionit, Hoekstra ka pretenduar se nuk kishte dijeni për këto takime.

“Ne, të nënshkruarit, banorë të Kanadasë, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kanadasë që ta shpallë zyrtarisht Pete Hoekstran person non grata dhe të kërkojë largimin e tij nga posti i ambasadorit amerikan në Kanada”, thuhet në peticion.

Peticioni i kërkon gjithashtu Otavës që të ngrejë pranë Washingtonit çështjen e asaj që e cilëson si një model sjelljeje në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Gjithashtu, ai i bën thirrje qeverisë që të ngarkojë një komision parlamentar për të hetuar ndërhyrjen e pretenduar diplomatike amerikane në punët e brendshme të Kanadasë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button