Erdogan: Avioni luftarak pa pilot Kizilelma, i prodhuar në Turqi, i shtohet inventarit ushtarak

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se avioni luftarak pa pilot Kizilelma, i prodhuar në Turqi, i është shtuar inventarit të Forcave të Armatosura Turke pas vitesh zhvillimi, transmeton Anadolu.
“Besoj se ushtria jonë e lavdishme do të korrë fitore pas fitores me Bayraktar Kizilelma dhe shpresoj që ky moment historik krenar të sjellë suksese të mëdha”, tha Erdogan në rrjetet sociale.
Sot, prodhuesi turk i dronëve Baykar njoftoi se u kishte dorëzuar forcave të sigurisë së Turqisë tre avionët e parë luftarakë pa pilot Bayraktar Kizilelma, gati katër vjet pas fluturimit të parë të këtij avioni.
Në një deklaratë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, Baykar tha se Kizilelma është bërë avioni i parë luftarak pa pilot në botë që hyn në shërbim ushtarak.
“Sot, ne i dorëzojmë kombit tonë ëndrrën që nisëm ta realizonim para 20 vitesh”, tha Baykar.
I zhvilluar me financimin e vetë kompanisë Baykar, Kizilelma është projektuar për luftime ajër-ajër dhe sulme ndaj objektivave në sipërfaqe. Kompania po zhvillon gjithashtu versionin e avionit që të mund të operojë nga anijet me pista të shkurtra fluturimi.
Avioni është 14,5 metra i gjatë, ka hapësirë krahësh prej 10 metrash dhe peshë maksimale në ngritje prej 8,5 tonësh metrikë.
Sipas Baykar, ai mund të arrijë shpejtësi maksimale prej Mach 0,9 ose 90 për qind të shpejtësisë së zërit dhe të qëndrojë në ajër për më shumë se tre orë.
– Nga fluturimi i parë deri te formacioni autonom
Baykar e prezantoi projektin në vitin 2021 dhe vitin pasues shfaqi prototipin në festivalin e hapësirës ajrore dhe teknologjisë TEKNOFEST, në qytetin Samsun, në veri të Turqisë.
Avioni realizoi fluturimin e tij të parë më 14 dhjetor të vitit 2022, duke fluturuar për 18 minuta në qendrën e testimit të Baykarit në Corlu, në veriperëndim të Turqisë.
Në prill të vitit 2023, Kizilelma fluturoi në formacion të afërt me dronin Akinci të Baykarit gjatë testeve në Corlu. Më vonë, të dy avionët përsëritën fluturimin në formacion para spektatorëve në festivalin TEKNOFEST në Stamboll.
Më 29 nëntor të vitit 2025, sipas kompanisë Baykar, një Kizilelma goditi një objektiv ajror me motor reaktiv me një raketë ajër-ajër Gokdogan, të prodhuar në Turqi, gjatë një prove në brigjet e Detit të Zi, pranë Sinopit.
Muajin pasues, dy prototipa të Kizilelma-s fluturuan në mënyrë autonome në formacion të afërt mbi Corlu.
Baykar tha se avionët përdorën softuer të zhvilluar nga inxhinierët e kompanisë për të koordinuar lëvizjet e tyre dhe për të kryer patrullim ajror përgjatë një rruge të përcaktuar paraprakisht.
Në njoftimin e sotëm, Baykar falënderoi ekipin që qëndron pas zhvillimit të avionit dhe nderoi kolegët që humbën jetën gjatë këtij procesi.
Kompania nderoi gjithashtu themeluesin e saj të ndjerë, Ozdemir Bayraktar, për kontributin e tij në Nismën Kombëtare Teknologjike të Turqisë.



