Hamza Ameti viziton qendrën “Aurum”, diskutohet për bashkëpunimin në avancimin e shërbimeve sociale

Drejtori i Entit për Punë Sociale – Shkup, Hamza Ameti, ka vizituar sot Qendrën për Këshillim Familjar dhe Mbështetje Psiko-Sociale „Aurum“, ku është pritur nga drejtoresha e saj, Sabile Sherifi.
Gjatë vizitës, Ameti është njohur nga afër me veprimtarinë e kësaj qendre, e cila ofron shërbime në fushën e këshillimit familjar, mbështetjes psiko-sociale dhe psikoterapisë, me fokus të veçantë te fëmijët, të rinjtë dhe familjet.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e shërbimeve sociale në interes të qytetarëve.
Ameti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vlerësuar se ai përbën një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve sociale më cilësore dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët.



