Si po përfiton Kina nga lufta me Iranin duke treguar se është ndryshe nga SHBA-ja

Ndërsa presidenti kinez, Xi Jinping, bëri thirrje këtë javë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, qasja pragmatike që Pekini ka ndjekur ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit u shfaq qartë.
Gjatë një bisede telefonike të hënën me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), Xi ritheksoi mbështetjen e Kinës për “të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në rikthimin e paqes dhe që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve politike dhe diplomatike”.
“Ngushtica e Hormuzit duhet të ruajë kalimin normal, pasi kjo i shërben interesave të përbashkëta të vendeve të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha Xi, sipas njoftimit zyrtar kinez për bisedën.
Njoftimi nuk përmendi në mënyrë specifike aktorët kryesorë të luftës, megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Irani, mes tyre, e kanë paralizuar këtë rrugë strategjike ujore për shtatë javët e fundit. Irani ndërmori hapa për mbylljen e ngushticës për shumicën e trafikut detar pas nisjes së luftës më 28 shkurt, ndërsa SHBA-ja vendosi bllokadë ndaj të gjitha porteve iraniane më 13 prill.
Deklaratat e balancuara të Xi-t qëndronin në kontrast të fortë me ato të presidentit amerikan Donald Trump, i cili po atë ditë deklaroi në rrjetet sociale: “Po fitoj një luftë, ME SHUMË diferencë, gjërat po shkojnë shumë mirë”, duke shtuar se bllokada detare do të vazhdojë derisa Uashingtoni të arrijë një “MARRËVESHJE” me Teheranin.
Analistët thonë se kjo tregon se si Kina ka përdorur luftën SHBA-Izrael kundër Iranit për t’u paraqitur si fuqia më e përgjegjshme nga dy superfuqitë botërore, një aktor që shpesh preferon të qëndrojë në prapaskenë sesa në qendër të vëmendjes.
“Kina po përfiton jo duke bërë lëvizje dramatike, por duke pritur, duke vëzhguar dhe duke shfrytëzuar mundësitë për t’u pozicionuar, ndërsa i lë amerikanët të përballen me pasojat,” tha Gedaliah Afterman, drejtues i programit për politikat Azi-Izrael në Institutin Abba Eban për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Pekini ka arritur të pozicionohet si një zë i arsyes falë politikës së tij të kahershme të “mosndërhyrjes” në punët e brendshme të shteteve dhe marrëdhënieve të tij me të gjithë aktorët në konfliktin me Iranin.
Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit dhe blen deri në 90 për qind të naftës së tij, sipas Komisionit SHBA-Kinë për Ekonominë dhe Sigurinë, ndërsa në vitin 2021 nënshkroi një marrëveshje 25-vjeçare “partneriteti strategjik gjithëpërfshirës” me Teheranin.
Në të njëjtën kohë, Pekini ka forcuar lidhjet me vendet e Gjirit si Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke mbetur një partner i rëndësishëm tregtar edhe për SHBA-në dhe Izraelin.
“Kina mban marrëdhënie të mira me SHBA-në, Izraelin, Iranin dhe shtetet arabe të Gjirit. Të gjitha këto vende janë miqtë tanë, edhe nëse mes tyre janë armiq,” tha Ma Xiaolin, dekan i Institutit të Mesdheut në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare Zhejiang.
Angazhimi për mosndërhyrje ishte një nga arsyet kryesore pse Kina, më herët këtë muaj, vuri veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte koordinim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Kina ka ndjekur një linjë të ngjashme edhe në konflikte të tjera si Siria dhe Mianmari.
Ndryshe nga qasja strategjike e SHBA-së në Lindjen e Mesme, e cila shpesh përfshin ndryshime regjimesh, prioritetet kryesore të Kinës në rajon mbeten ekonomike. Paqja është e mirë për biznesin, ndërsa lufta jo, thonë analistët.
“Ata presin paqe dhe stabilitet. Nuk janë të fokusuar se kush fiton konfliktin. Synimi i tyre është rikthimi i një ambienti paqësor në rajon, sidomos rreth Ngushticës së Hormuzit,” tha Chang Ching, studiues i lartë në Shoqatën për Studime Strategjike në Taipei.
Sipas Feng Chucheng, partner themelues i Hutong Research në Pekin, një përshkallëzim i mëtejshëm i luftës do të kërcënonte sigurinë ekonomike dhe energjetike të Kinës, duke qenë se mbi 40 për qind e importeve të saj të naftës vijnë nga Lindja e Mesme.
“Nga këndvështrimi i Pekinit, një përfshirje e tillë do të rrezikonte balancën delikate mes Iranit dhe shteteve të Gjirit,” tha ai.
Ndërkohë, Kina ka përdorur pozicionin e saj si “mik i të gjithëve” për të ndihmuar në koordinimin e një zgjidhjeje paqësore. Diplomati i saj kryesor Wang Yi zhvilloi 26 telefonata nga 28 shkurti deri para armëpushimit SHBA-Iran më 8 prill, ndërsa i dërguari special për Lindjen e Mesme, Zhai Jun, zhvilloi afro dy duzina takimesh.
Megjithatë, Pekini ka tentuar të minimizojë rolin e tij në ndërmjetësimin e armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, ndryshe nga roli i tij në normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Iranit në vitin 2023.
Sipas analistëve, kjo vjen pasi Kina dëshiron të shmangë përfshirjen në një proces kompleks paqeje.
“Ata po përpiqen të jenë paqebërës pa marrë përgjegjësinë e plotë të procesit,” tha Drew Thompson nga Shkolla S Rajaratnam në Singapor. “Në thelb, Lindja e Mesme nuk është interes thelbësor për Kinën, ndaj kapitali i saj politik është i kufizuar.”
Megjithatë, përpjekjet e saj nuk kalojnë pa u vënë re.
“Bota e di kush ofron stabilitet, kush ofron siguri dhe kush ka shkatërruar sistemin ndërkombëtar të ligjit,” tha Ma Xiaolin.
Raportet e mediave perëndimore sugjerojnë se Kina mund të jetë duke vepruar edhe në prapaskenë. CNN raportoi se Pekini po përgatitej të dërgonte sisteme mbrojtëse ajrore portative në Iran, ndërsa Financial Times zbuloi se Irani ka përdorur një satelit spiun kinez për të shënjestruar baza amerikane.
Megjithatë, analistët kinezë e hedhin poshtë këtë si të pamundur, sidomos përpara një takimi të planifikuar mes Xi dhe Trump.
Pekini po balancon marrëdhëniet me Iranin dhe SHBA-në, ndërsa përgatitet për marrëveshje tregtare dhe për Samitin e dytë Kinë-Arab.
“Kina po ecën mbi një tel të hollë në balancimin e marrëdhënieve të saj,” tha Afterman. “Ajo po mendon për ditën pas luftës – rindërtimin, aktivitetet ekonomike dhe investimet. Kina dëshiron të jetë në pozicion shumë të mirë në të dy anët e Gjirit.” /Al Jazeera/



