Magyar ia pamundëson Orbanit të kandidojë për një mandat tjetër si kryeministër

Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një ndryshim kushtetues që kufizon mandatin e kryeministrit në maksimumi tetë vjet, duke përmbushur një premtim të kryeministrit aktual, Peter Magyar, për të penguar rikthimin në pushtet të ish-kryeministrit Viktor Orban.

Orbani ka udhëhequr Hungarinë për 16 vjet rresht, deri sa partia e Magyarit, “Tisza”, ka arritur ta largojë atë nga pushteti në zgjedhjet e prillit, duke fituar një shumicë prej dy të tretash në parlament, e cila i jep të drejtën të ndryshojë kushtetutën.

Sipas ndryshimit të ri, asnjë kryeministër që nga viti 1990 nuk mund të shërbejë më shumë se dy mandate në detyrë, edhe nëse ato nuk janë të njëpasnjëshme.

Partia e Orbanit, “Fidesz”, ka votuar kundër masës. Ish-kryeministri, i cili është rizgjedhur në fundjavë si kryetar i partisë, e ka kritikuar ashpër vendimin.

“Ligji kundër Orbanit sapo u miratua. Me sa duket, kjo ishte çështja më urgjente. Nëse do të ketë nevojë për mua, do të jem këtu,” shkroi ai në Facebook.

Orbani gjithashtu është ankuar se qeveria e re kishte vetëm një muaj në pushtet dhe se nuk duhej të “ëndërronte për tetë vjet” në të ardhmen.

Falë shumicës së cilësuar të Tisza-s, amendamenti ka kaluar lehtësisht me 135 vota pro dhe 50 kundër. Tani ai pret vetëm nënshkrimin e presidentit Tamas Sulyok për të hyrë në fuqi.

Megjithëse ndryshimi në Ligjin Themelor të Hungarisë mund të shfuqizohet teorikisht nga një qeveri e ardhshme që siguron të njëjtën shumicë kushtetuese, dispozita e re nënkupton gjithashtu se edhe vetë Pëter Magyar nuk do të mund të qëndrojë si kryeministër pas vitit 2034.

Magyar ka marrë detyrën muajin e kaluar me premtimin për të çmontuar disa prej strukturave shtetërore shumë të debatueshme që Fidesz ka ngritur gjatë 16 vjetëve në pushtet.

Për katër vjet radhazi, organizata “Transparency International” e ka cilësuar Hungarinë si vendin më të korruptuar në Bashkimin Evropian. Për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit, korrupsionin dhe dobësimin e demokracisë, BE-ja kishte bllokuar miliarda euro fonde për vendin.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian ka pranuar të zhbllokojë 16.4 miliardë euro financime, me kusht që parlamenti hungarez të miratojë një sërë reformash kundër korrupsionit.

Përveç kufizimit të mandatit të kryeministrit, amendamenti i së hënës shfuqizon edhe detyrimin për ekzistencën e një agjencie të pavarur që mbron “identitetin kushtetues” të Hungarisë.

Ky vendim sinjalizon fundin e “Zyrës për Mbrojtjen e Sovranitetit”, një organ i krijuar nga qeveria e Orbanit në vitin 2023, për të monitoruar atë që quhej “ndërhyrje e papërshtatshme politike” nga “interesa të huaja”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button