Sali: “Bërvenica ka nevojë për një kryetar që zgjidh probleme dhe realizon projekte konkrete”

Sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, nga tubimi i sontëm në Bërvenicë ku u prezantua kandidati për kryetar të kësaj komune, Jakup Huseini, përcolli një mesazh të qartë politik: koha e premtimeve boshe dhe politikës që kujtohet për qytetarin vetëm para zgjedhjeve duhet të marrë fund.
Sipas Saliut, Bërvenica sot nuk ka nevojë për më shumë slogane, por për një plan konkret dhe njerëz të gatshëm të marrin përgjegjësi për zhvillimin e komunës.
“Qytetari nuk jeton më me slogane. Ai kërkon rrugë, ujë, kanalizim, shkolla, shërbime funksionale, investime dhe mundësi të reja. Prandaj ne dalim para qytetarëve me një emër dhe me një program – Jakup Huseini”, tha Sali.
Duke prezantuar kandidatin e VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Sali theksoi se Jakup Huseini nuk hyn në garë për privilegj, por për përgjegjësi dhe se puna duhet të jetë matësi kryesor i çdo kryetari.
“Jakup Huseini nuk vjen të premtojë mrekulli, por të prezantojë plan. Nuk vjen të kërkojë privilegj, por të marrë përgjegjësi. Kjo është diferenca mes politikës së vjetër dhe qasjes së re: ne duam të matemi me punë!”, deklaroi Sali.
Ai u shpreh i prerë se Bërvenica nuk ka nevojë për një kryetar që vetëm inauguron, për fotografi apo për justifikime, por për një kryetar që zgjidh problemet e qytetarëve.
“Bërvenica nuk ka nevojë për një kryetar që vetëm inauguron. Ka nevojë për një kryetar që zgjidh probleme. Nuk ka nevojë për fotografi, ka nevojë për projekte. Nuk ka nevojë për justifikime, ka nevojë për përgjegjësi”, theksoi Sali.
Në këtë drejtim, ai prezantoi edhe prioritetet e vizionit të VLEN-it për Bërvenicën: infrastrukturë moderne, investime të reja, zhvillim të barabartë në të gjitha vendbanimet, shërbime komunale funksionale, më shumë mundësi për të rinjtë dhe administratë transparente e përgjegjëse.
Sali theksoi se programi i Jakup Huseinit nuk është thjesht një dokument elektoral, por një plan konkret pune dhe një kontratë politike me qytetarin.
“Koha e politikës pa llogaridhënie duhet të zëvendësohet me politikën e përgjegjësisë. Qytetari duhet të jetë mbi politikën dhe interesat partiake”, tha Sali.
Në fund, Sekretari i përgjithshëm i VLEN-it dha një mesazh të qartë se Bërvenica nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës, por duhet të ecë drejt një modeli të ri qeverisjeje, ku rezultatet, projektet dhe puna janë masa e suksesit.
“Bërvenica duhet të shohë përpara. Me program, me projekte, me njerëz që punojnë dhe me institucione që japin llogari. Ky është vizioni që përfaqëson Jakup Huseini”, tha Sali.



