Qeveria miraton “One Stop Shop” me Shqipërinë, Sali: Hap i madh për afrimin e shqiptarëve dhe lehtësimin e lëvizjes

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” me Shqipërinë, një mekanizëm që synon të lehtësojë kalimin kufitar dhe të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, e vlerësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm për integrimin rajonal dhe afrimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

“Me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe me krenari të veçantë, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratuam vendimin për vënien në funksion të sistemit ‘One Stop Shop’ me Shqipërinë”, deklaroi Sali.
Sipas tij, projekti nuk ka vetëm dimension praktik në lehtësimin e qarkullimit, por edhe një rëndësi të veçantë për lidhjet mes shqiptarëve.
“E konsideroj këtë një hap të madh që jo vetëm forcon bashkëpunimin rajonal dhe lehtëson lëvizjen e qytetarëve, por edhe afron më shumë vëllezërit dhe motrat shqiptare në të dy anët e kufirit”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri i Parë nënvizoi se çdo afrim mes shqiptarëve përbën një vlerë të rëndësishme për të ardhmen e përbashkët, duke shtuar se projekti dëshmon se përmes vizionit dhe përkushtimit mund të ndërtohen ura bashkëpunimi dhe zhvillimi.
“Ky projekt është dëshmi se kur punojmë me vizion dhe përkushtim, ndërtojmë ura bashkimi, zhvillimi dhe shprese për brezat që vijnë”, u shpreh Sali.
Ai shtoi se institucionet do të vazhdojnë të punojnë për forcimin e lidhjeve rajonale dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.
“Do të vazhdojmë të punojmë me dinjitet dhe përkushtim për një të ardhme më të afërt, më të zhvilluar dhe më të bashkuar për të gjithë shqiptarët dhe qytetarët tanë”, përfundoi Sali.



