Sali: Integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, reformat duhet të sjellin rezultate për qytetarët

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka riafirmuar se integrimi evropian mbetet prioriteti strategjik i vendit, duke theksuar se procesi i reformave duhet të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët.
Në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrim Evropian, Sali tha se gjatë diskutimeve ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve ndaj rrugës evropiane.
“Në Këshillin Nacional për Integrim Evropian riafirmova se integrimi evropian mbetet prioriteti ynë strategjik dhe se reformat duhet të japin rezultate konkrete për qytetarët”, deklaroi Sali.
Ai vlerësoi se Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave tashmë kanë filluar të prodhojnë rezultate të prekshme, por theksoi se përparimi i mëtejshëm kërkon angazhim të përbashkët institucional.
“Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave tashmë po sjellin rezultate të prekshme, por suksesi i këtij procesi kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe mbështetje nga të gjitha institucionet”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Në fund, Sali nënvizoi se rruga drejt Bashkimit Evropian nuk mund të ndërtohet vetëm mbi deklarata politike, por mbi reforma të qëndrueshme dhe vendimmarrje në interes të shtetit.
“Evropa nuk ndërtohet me deklarata, por me reforma, konsensus dhe vendime në interes të shtetit”, përfundoi Bekim Sali.



