Mexhiti: Në Saraj po realizohen investime miliona euro, përgatiten edhe projekte të reja

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në prezantimin e llogaridhënies njëvjeçare të kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ku janë prezantuar projektet e realizuara dhe investimet infrastrukturore në këtë komunë.
Mexhiti, përmes një njoftimi, ka theksuar se zotimet e dhëna një vit më parë po shndërrohen në projekte konkrete, duke veçuar disa investime me vlerë miliona euro.
Ai ka përmendur rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë, me investim prej 6.2 milionë eurosh, si dhe financimin prej rreth 7 milionë eurosh për ndërtimin e urës së re, rrethrrotullimin dhe lidhjen rrugore në Saraj.
Ndër projektet e tjera të përmendura janë rruga rajonale Kondovë–Radush–Jegunovcë, rruga Saraj–Krushopek dhe ajo Rashçe–Kopanicë, si dhe investimet në ujësjellës dhe kanalizim në Llaskarcë, ndërtimi i murit mbrojtës në Gllumovë dhe përmirësimi i infrastrukturës shkollore e sportive.
Mexhiti ka bërë të ditur se në përgatitje janë edhe projekte të reja, përfshirë bulevardin “Dardania” dhe ndërtimin e shkollës së re në Matkë.
„Për ne, llogaridhënia nuk është formalitet, por përgjegjësi ndaj besimit të qytetarëve“, ka theksuar Mexhiti, duke shprehur mbështetjen për kryetarin Muhamet Elmazi dhe ekipin e tij në realizimin e projekteve të nisura dhe investimeve të ardhshme.
Ai ka nënvizuar se përgjegjësia e një mandati nuk përfundon me marrjen e detyrës, por fillon pikërisht me përmbushjen e zotimeve dhe dhënien e llogarisë para qytetarëve.



