Axios: Trump i jep dritën jeshile Bukeles së El Salvadorit për dërgimin e ushtrisë në Haiti

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka marrë miratimin e presidentit amerikan, Donald Trump, përpara se të ndërmerrte një dislokim të madh ushtarak në Haiti, ku pritet që mijëra trupa salvadoriane t’i bashkohen luftës kundër bandave të fuqishme të armatosura, raportoi të premten Axios, transmeton Anadolu.

Bukele ka telefonuar Trumpin të martën për t’u siguruar që Washingtoni nuk do ta kundërshtonte operacionin, i cili ka marrë miratimin e qeverisë së Haitit.

“Bëni atë që duhet të bëni”, i ka thënë Trumpi liderit salvadorian, sipas raportimit. Trump ka shprehur gjithashtu keqardhje për katër pjesëtarët e ushtrisë së El Salvadorit, të cilët rezultojnë të zhdukur pas një prite në Haiti, thuhet në raportim.

Më herët, Bukele kishte propozuar që El Salvadori të merrte përsipër vendosjen e rendit në Haiti si një forcë përfaqësuese e SHBA-së. Megjithatë, sipas raportimit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka kundërshtuar këtë ide, duke preferuar që Washingtoni të qëndronte në distancë.

Lideri salvadorian kërkoi gjithashtu pajisje ushtarake amerikane, përfshirë dronë dhe avionë transportues, por kërkesat e tij u refuzuan. Kolumbia mund të shërbejë potencialisht si kanal jozyrtar për furnizimin me pajisje, duke mundësuar vazhdimin e operacionit pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.

Haiti po përpiqet të frenojë dhunën e bandave, e cila këtë vit ka shkaktuar më shumë se 5.700 viktima, duke i lënë komunitetet të terrorizuara dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qasjen në shërbimet bazë.

El Salvadori njoftoi të mërkurën se do të dërgojë deri në 2.000 trupa, me mundësinë e shtimit të mëtejshëm të kontingjentit.

“Ne nuk kemi ardhur në Haiti për të fituar para, sepse askush nuk po na paguan për këtë. Kemi ardhur në Haiti për të luftuar kundër të ligjve”, shkroi Bukele të enjten në platformën sociale amerikane X.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button