Albi Qamili: Propaganda e viktimizimit nuk kalon, nuk mbulohet krimi me defokus

Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka reaguar ndaj asaj që e quan propagandë të viktimizimit nga ish-pushteti lokal, duke rikujtuar borxhin prej 24 milionë eurosh që, sipas tij, i është lënë qytetit gjatë qeverisjes së kaluar.
Qamili akuzon ish-udhëheqësit komunalë për keqmenaxhim dhe zhvatje, ndërsa pretendon se pas tyre nuk ka mbetur asnjë projekt.
Në reagimin e tij, ai ngre edhe pyetjen nëse viktimizimi i sotëm i Bajram Rexhepit synon të largojë vëmendjen nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-kryetares së Tetovës, Teuta Arifi.
„A kishte për qëllim viktimizimi i sotëm i Bajram Rexhepit të defokusojë fillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-shefes së tij Teuta Arifi për krimet që i kanë bërë bashkë në komunë?“, shkruan Qamili.
Ai thotë se qytetarët e Tetovës ua kanë dhënë përgjigjen ish-udhëheqësve në pesë palë zgjedhje radhazi dhe se, sipas tij, qytetarët i besojnë punëve që shohin çdo ditë dhe jo propagandës politike.
Qamili e përmbyll reagimin me mesazhin: „Propaganda e viktimizimit nuk kalon!“



