Në Poloni shpërthen kriza institucionale, përplasje rreth Gjykatës Kushtetuese – akuzat për grusht shteti

Një krizë e thellë politike dhe institucionale ka përfshirë Poloninë, pas përshkallëzimit të konfliktit rreth Gjykatës Kushtetuese në Varshavë. Policia është vendosur përreth selisë së institucionit, ndërsa në faqen zyrtare të gjykatës është publikuar njoftimi për pezullimin e përkohshëm nga detyra të kryetarit Bogdan Święczkowski dhe zëvendësit të tij, Bartłomiej Sochański.

Kryeministri Donald Tusk i ka mbrojtur veprimet e qeverisë, duke i cilësuar ato si pjesë të procesit për rikthimin e sundimit të ligjit. Ndërkohë, opozita e akuzon qeverinë për marrjen e paligjshme të kontrollit mbi institucionin.

Presidenti polak, Karol Nawrocki, ka ndërprerë udhëtimin drejt Senegalit dhe ka urdhëruar kthimin e avionit në Poloni, për shkak të përshkallëzimit të situatës. Ai ka deklaruar se në këtë moment duhet të jetë në vend.

Ndërkohë, profili zyrtar i Gjykatës Kushtetuese në platformën X ka reaguar duke pretenduar se faqja e internetit e institucionit është marrë në mënyrë të paligjshme. Në reagim thuhet se Święczkowski vazhdon të jetë kryetar legjitim i gjykatës dhe se veprimet e fundit përbëjnë një përpjekje për grusht shteti.

Policia ka mohuar pretendimet për hyrje me forcë në ndërtesën e gjykatës, duke sqaruar se ndërhyrja e saj është kufizuar në hapësirat e jashtme. Sipas policisë, ndërhyrja erdhi pas paralajmërimeve për rrezik ndaj sigurisë së gjyqtarëve dhe punonjësve. Gjithashtu, janë arrestuar tre persona që kishin kapërcyer rrethojën e institucionit.

Në qendër të konfliktit është mosmarrëveshja për gjashtë gjyqtarë të zgjedhur nga parlamenti. Presidenti Nawrocki refuzon të pranojë betimin e tre prej tyre, ndërsa kryetari i gjykatës, Święczkowski, nuk u ka lejuar gjyqtarëve të zgjedhur nga shumica aktuale parlamentare të marrin detyrën. Si pasojë, institucioni ndodhet praktikisht i paralizuar.

**Gjykata Kushtetuese: Kjo është grusht shteti!**

Gjykata Kushtetuese i ka cilësuar zhvillimet e fundit si përpjekje për grusht shteti, sipas raportimit të Polskie Radio.

„Ka ndodhur marrja e paligjshme e faqes së internetit të Gjykatës Kushtetuese. Bogdan Święczkowski vazhdon të jetë kryetar, ndërsa Bartłomiej Sochański nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese. Anna Korwin-Piotrowska nuk është gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë personat që marrin pjesë në këto veprime po kryejnë veprën penale të grushtit të shtetit“, thuhet në reagimin e publikuar në platformën X.

Një tjetër zhvillim në këtë përplasje është bërë i ditur nga prokurori i përgjithshëm dhe ministri i Drejtësisë, Waldemar Żurek, i cili ka njoftuar se ka paraqitur pesë kërkesa në gjykatë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve.

Katër prej kërkesave kanë të bëjnë me kryetarin Święczkowski, ndërsa njëra me zëvendësin e tij, Sochański. Sipas Żurek, dokumentacioni përmban 224 faqe dhe 50 vëllime me materiale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button