Revista “Shenja”, një libër në formë reviste

Ishte kënaqësi të lexoje shkrime nga personalitete të larta të trojeve tona, për më tepër të jesh së bashku me ta brenda atyre kopertinave. Në këtë revistë, shkruanin edhe ata që në jetën e tyre nuk kishin aq shumë qasje nëpër rrjete sociale dhe nëpër portale, por që ishin besnikë të rryer të fjalës së shkruar në letër, gazetë, revistë dhe libër.  

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup  

Poeti i parë grek, Pindari, do të thoshte se nëse nuk shkruhet, edhe vepra më e fisme do të harrohet. Kurse, Paskal Kinjari thotë: “Mënyra më e mirë për të menduar është të shkruash”. Revista Shenja nuk i lejoi ngjarjet të rridhnin dhe pastaj të harroheshin, thuajse të mos kishin rrjedhur kurrë. As personalitetet historike nuk i kurseu nga një trazim për ta nxjerrur më të mirën për ta dhe për të lënë përsiatje të mjaftueshme për jetën, veprën dhe të bëmat e tyre në një kohë të caktuar, por edhe për t’i ofruar si referenca në ditët e sotme. Kështututje, fillimisht si lexues dhe, pas disa numrave, si kontribues me shkrime, analiza dhe përsiatje të ndryshme, isha i nderuar nga stafi i revistës Shenja, revistë kjo që pasi e lexoje, lehtësisht mund ta ndjeje se e ke lexuar një libër përmbajtësor. Nuk shkruante kushdo, as nuk shkruhej çfarëdo, si dhe nuk mirëmbahej nga njerëzit dosido. Deri në hollësi ishte e organizuar shumëçka. Varësisht prej gjendjes, gjendej njeriu i duhur për intervistën përkatëse dhe, pastaj, me ndonjë larmi të vogël temash, temat trajtoheshin në frymën e subjektit të intervistës. Për një punëtor shkencor, student ose studiues nuk besoj se numrat e revistës Shenja nuk do të mund t’i ndihmonin në punimet ose në kontributet e tyre në fusha të shkencës, artit dhe të gazetarisë. Shumëkush mund të shërbehet nga kjo sofër, ngaqë shumë mund, mend, sfilitje dhe djersë është dhënë në këtë rrugëtim të rrallë në trojet tona, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga jetëgjatësia. Ishte kënaqësi të lexoje shkrime nga personalitete të larta të trojeve tona, për më tepër të jesh së bashku me ta brenda atyre kopertinave. Në këtë revistë shkruanin edhe ata që në jetën e tyre nuk kishin aq shumë qasje nëpër rrjete sociale dhe nëpër portale, por që ishin besnikë të rryer të fjalës së shkruar në letër, gazetë, revistë dhe libër. Ishte nder i madh kur ndonjëri prej tyre më thoshte se shkrimet e tua po i lexoj me kënaqësi në revistën Shenja. Nuk më interesonte më nëse i pëlqenin apo jo shkrimet e mia, kryesorja lexoheshim prej atyre që aq shumë kishim lexuar libra dhe shkrime të tyre. Siç thotë Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të), se kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon as Zotin. Andaj jam tepër falënderues dhe mirënjohës që themeluesit dhe mirëmbajtësit e kësaj reviste na mundësuan një gjë të tillë. 

Çdo numër i revistës ishte i veçantë, burim frymëzimi, informacioni dhe dije, por unë në revistën mbarëkombëtare Shenja do ta veçoja numrin e 129, muaji janar i vitit 2022 me kryetitull “Një shekull gjenocid”. Aty mund të lexoje dhe të ruaje me fanatizëm materialet që shtjellohen në këtë numër, ngaqë kujtesës së popullit tonë i duhen shumë. Na ndihmon t’i njohim më mirë rrënuesit tanë, na mban gjallë mbamendjen, në mënyrë që e keqja, dhuna dhe gjenocidi të mos na përsëriten ose, siç shkruan Sabri Hamiti në librin e tij poetik “Kukuta e Sokratit: “Përsëritja përsëritet përsëri”. Ajo përsëritet dhe stërpërsëritet, nëse përsëri nuk marrim mësim (shënim dhe shkrim) nga e kaluara, kurse dritarja e kësaj reviste na dha këtë mundësi, që nuk ishte punë pa përgjegjësi për përgjegjësit e kësaj reviste.  

Prandaj, gjithë ata që e themeluan dhe e mirëmbajtën këtë revistë, ata që kontribuan me shkrime, analiza dhe përsiatje të ndryshme, do të mbahen në mend si gdhendës të kujdesshëm të kronikës sonë, që ishte e mbushur me larmi ngjarjesh dhe me shtjellimet e dritëhijeve të personaliteteve më të njohura të hapësirës sonë shqiptare. Revista Shenja ishte dhe është shenjë në rrugën e atyre që kishin dhe kanë caqe në jetë. Ishte revistë, arkiv dhe kronikë në letër, por mbi të gjitha ishte një libër në formë reviste, që do të shërbejë edhe atëherë kur kjo revistë do të ndalet së rrugëtuari ose të ndërrojë formë.   

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button