Mexhiti në Bursa: Përvoja e Çarshisë Historike do të shërbejë për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë vizitës në qytetin e Bursës në Turqi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Bashkimit të Çarshisë Historike dhe Haneve të Bursës, të udhëhequr nga kryetari İsa Altıkardeş.
Sipas njoftimit të Mexhitit, ky organizim bashkon rreth 4.000 dyqane dhe biznese, ndërsa vizita kishte për qëllim njohjen me përvojën e Bursës në ruajtjen dhe zhvillimin e zonave historike tregtare.
Mexhiti tha se kjo përvojë ka rëndësi të veçantë për projektin e revitalizimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
“Për ne, që po punojmë për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, përvoja e Bursës ka vlerë të veçantë: si ruhet trashëgimia, si organizohen zejtarët e tregtarët dhe si mbështetet zhvillimi i tregtisë brenda një zone historike”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai theksoi se synimi është që bashkëpunimi mes dy qyteteve binjake të zgjerohet edhe në nivel të esnafëve dhe bizneseve, në mënyrë që përvoja e Bursës të shërbejë për zhvillimin e Çarshisë së Shkupit.
“Synojmë që bashkëpunimi mes dy qyteteve binjake të shtrihet edhe mes esnafeve tona, duke e vënë këtë përvojë në shërbim të Çarshisë së Shkupit dhe njerëzve që punojnë në të”, thuhet në njoftimin e Mexhitit.



