Pritshmëritë e arrira të revistës “Shenja”

Revista “Shenja”, si vetë emri i saj, ka goditur gjithmonë në shenjë për nga tematika që trajtonte. Përgjatë këtyre viteve, të shkruaje tek “Shenja” ka qenë një luks. Në aspektin e mendimit që do të jepje për një çështje të caktuar, kishe kohën e nevojshme për ta parë dukurinë për të cilën do shkruaje në të gjitha këndvështrimet, çka e forconte shumë analizën duke ia dhënë të gjitha nuancat e duhura.
Shkruan: Urim TUSKU, Tiranë
Kur doli në numrin e parë të saj, në vitin 2011, revista “Shenja” u prit me shumë entuziazëm, nga lexuesit, të cilët deri në atë moment kishin parë shtyp të shkruar me një rreth të ngushtë lexuesish, që vërtiteshin sipas interesave të botuesit. Ndërkaq, dalja në treg e revistës “Shenja” solli një zgjerim të këtij rrethi, si në lexues, që u përhap dhe u shpërnda në të gjitha trojet mbarëshqiptare, në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, në Kosovë dhe Malin e Zi.
Po ashtu u veprua edhe me penat që ia jepnin thelbin e mendimit të kësaj reviste. Nashkëpunëtorët e saj u shtrin në të gjitha trojet shqiptare, duke sjellë secili mendimin dhe këndvështrimin e tij për çështjet më të diskutuara të kohës kur dilte numri i radhës i revistës.
E në këtë larmishmëri mendimesh, revista “Shenja” pasurohej dhe bëhej një tempull reference për çdokënd që donte të mësonte nga ngjarjet ose zhvillimet më të rëndësishme, duke lexuar opinione profesionistësh, të para nga perspektiva kombëtare dhe të lira për sa i përket gjykimit të tyre objektiv. Çdo opinion ishte dukshëm brenda kufijve etikë që i lejonte deontologjia e gazetarit, çka e bënte të dallohej nga simotrat e tjera në shtypin e shkruar.
Revista “Shenja”, si vetë emri i saj, ka goditur gjithmonë në shenjë për nga tematika që trajtonte. Përgjatë këtyre viteve, të shkruaje tek “Shenja” ka qenë një luks. Në aspektin e mendimit që do të jepje për një çështje të caktuar, kishe kohën e nevojshme për ta parë dukurinë për të cilën do shkruaje në të gjitha këndvështrimet, çka e forconte shumë analizën duke ia dhënë të gjitha nuancat e duhura.
Në ballinën e revistës “Shenja”, përpos titullit të madh, gjen (gjeje) të afishuar emrat e atyre që kishin shkruar për atë çështje që trajtohej në atë numër, ku çdokush do të njihej që në krye të herës, si një tregues i një orientimi të saktë të lexuesit. Një tipar dallues i revistës mbarëshqiptare “Shenja” ishte kujdesi i treguar për çdo ngjarje historike, që kishte lënë gjurmë në historinë e shqiptarisë, ku stafi i revistës i kushtonte një numër të posaçëm, duke bërë një analizë të thelluar në formën e opinioneve të larmishme të çdo shkruesi.
Në përfytyrimin tim, mund ta mendoja shumë mirë si një tryezë të rrumbullakët revistën “Shenja”, ku secili shkrues jepte mendimin e tij për çështje të së shkuarës dhe të së tashmes dhe të gjithë arrinin në një pikë se kombi shqiptar meriton të trajtohet me një qasje analizuese, duke e parë në thellësi restrospekivën për të ndërtuar më së miri perspektivën!
Kjo revistë mund të shihet edhe si misionare e përbashkimit, jo duke ndryshuar kufijtë fizikë, por duke ndarë mendime dhe duke ofruar zgjidhje të para nga optika të ndryshme dhe, njëkohësisht, duke shërbyer edhe si arkiv i zhvillimeve politike, ekonomike e kulturore përgjatë harkut kohor 15-vjeçar.



