Kurti: Koha që BE-ja të bëjë hapa konkretë në rrugën evropiane të Kosovës
Gjatë qëndrimit në Bruksel, pas drekës së ftuar dhe organizuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte në Qendrën Evropiane për Politika (EPC), në debatin me titull “Kosova dhe BE-ja: Dinamikat dhe perspektiva aktuale”, ku u diskutua mbi rrugëtimin evropian të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti veçoi rritjen ekonomike të vendit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimin e ligjit dhe zbatimi i reformave efektive në sistemin e drejtësisë, masat e punësimit, reformat ekonomike, mbështetjen e rritur për bujqësi, politika sociale dhe energjetike dhe digjitalizimin e shërbimeve, si disa prej arritjeve të qeverisjes.
Kurti shtoi se progresi ynë demokratik u dëshmua dhe nga rankimet e matjet e ndryshme ndërkombëtare.
Integrimi evropian mbetet objektiv i yni parësor, nënvizoi kryeministri duke shprehur se zhvillimi që po njeh vendi shërben edhe në funksion të avancimit të rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane.
Ai tha se Kosova ka arritur nivelin e zbatimit të Agjendës për Reformat Evropiane (ERA II) në mbi 70%, e gjithashtu Programi Kombëtar për Integrimin Evropian, i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ka pasur një normë vjetore zbatimi që i kalon 60%.
“Në tre vitet e fundit, ne kemi adresuar e zbatuar me sukses reforma të shumta të vonuara prej kohësh, të cilat ishin rekomandime të kahershme e në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012”, tha Kurti, transmeton Telegrafi.
Kryeministri theksoi rëndësinë e iniciativës së BE-së për Planin e Rritjes, e për të cilën Kosova është përkushtuar maksimalisht duke qenë ndër vendet e para e cila ka dorëzuar dhe Agjendën e Reformave.
Ai gjithashtu u shpreh se vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe demokratike dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, “andaj ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës”.
“Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim”, tha ai.
Pas fjalës hyrëse, kryeministri Kurti iu bashkëngjit diskutimit me të pranishmit, nën moderimin e analistes së politikave në EPC, Berta Lopez Domenech.