Kryeparlamentari Afrim Gashi uron 9 Majin: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen europiane

Kryeparlamentari Afrim Gashi, me rastin e 9 Majit – Ditës së Europës, theksoi rëndësinë e idesë europiane si projekt që solli paqe, unitet dhe stabilitet në kontinentin europian. Ai vlerësoi se, në kohën e sfidave të mëdha gjeopolitike dhe pasigurive globale, kjo ide mbetet “garancia më e fortë për një të ardhme të sigurt, demokratike dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë”.
Gashi nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Europian tejkalon dimensionin e një procesi politik, duke e cilësuar atë si “investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe kohezionin e gjithë kontinentit europian”.
Sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e palëkundur në orientimin strategjik për integrim europian, duke dëshmuar përgjegjësi institucionale, kulturë demokratike dhe përkushtim ndaj reformave, dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Ai shtoi se rrugëtimi drejt BE-së nuk është vetëm aspiratë politike, por edhe bindje e thellë se e ardhmja e vendit është pjesë e familjes europiane.
Në deklaratën e tij, Gashi potencoi edhe rolin e Kuvendit në avancimin e reformave demokratike, forcimin e institucioneve dhe thellimin e proceseve integruese. “Integrimi europian përfaqëson garanci për stabilitet afatgjatë, zhvillim demokratik dhe mirëqenie për qytetarët tanë dhe rajonin”, u shpreh ai.
Në fund, kryetari i Kuvendit riafirmoi besimin se e ardhmja europiane ndërtohet mbi solidaritetin, mirëbesimin dhe vizionin e përbashkët për “një Europë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, duke uruar qytetarët për 9 Majin – Ditën e Europës.


