Kancelari Merz përplaset me bashkëkryetaren e AfD-së për Rusinë dhe politikën energjetike

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është përplasur në parlament me bashkëkryetaren e partisë opozitare AfD, Alice Weidel, lidhur me politikën ndaj Rusisë dhe furnizimin energjetik të Gjermanisë, transmeton Anadolu.
Gjatë një debati të ashpër parlamentar, Weidel akuzoi kampin e kancelarit Merz për përshkallëzim të “propagandës së luftës” dhe konfrontimit me Moskën, si dhe për shkaktimin e një krize energjetike duke i dhënë fund furnizimeve nga Rusia.
“Po i digjni edhe urat e fundit dhe të gjitha këto për të larguar vëmendjen nga bilanci juaj katastrofik politik. Më në fund angazhohuni për negociata paqeje, ashtu siç po bëjnë SHBA-ja”, i tha ajo kancelarit Merz.
Ajo fajësoi gjithashtu qeverinë për një krizë të vazhdueshme energjetike, të cilën e lidhi me tranzicionin energjetik të Gjermanisë. Ajo paralajmëroi se këtë dimër mund të pasojë një “krizë ekzistenciale e furnizimit me gaz”, pasi Berlini hoqi dorë nga gazi i lirë rus që furnizohej përmes tubacioneve.
“Qëndruat pa thënë asnjë fjalë dhe pa bërë asgjë teksa tubacioni i Rrjedhës Veriore u hodh në erë para syve tuaj”, tha Weidel.
Ajo shtoi se në vend që të përgatitet për rifillimin e furnizimeve përmes pjesëve të mbetura të tubacionit, qeveria “vazhdon t’i shpërblejë organizatorët e dyshuar të sulmit në Kiev me pagesa miliardëshe në kurriz të Gjermanisë”.
Kancelari Merz i hodhi poshtë me forcë këto pretendime, duke e cilësuar mbështetjen për Kievin si mbrojtje të sigurisë evropiane dhe duke e akuzuar AfD-në se po i ndërron rolet e agresorit dhe viktimës.
“Ne e mbështesim Ukrainën dhe do të vazhdojmë ta mbështesim, sepse ajo po mbron gjithashtu lirinë tonë, këtu në zemër të kontinentit tonë evropian”, tha ai.
“Askush, askush nuk e ka kërcënuar Rusinë, as NATO-ja, as BE-ja, as Gjermania”, tha Merz.
“E vetmja gjë që vërtet kërcënon Rusinë dhe Putinin është fuqia tërheqëse e demokracisë. Ukraina ishte në rrugën drejt familjes demokratike evropiane dhe pikërisht ky është rreziku i vërtetë për regjimin e Putinit në Rusi”, shtoi ai.
Kancelari gjerman tha se AfD-ja e dinte këtë dhe megjithatë kishte zgjedhur të mbante anën e Moskës.
Lidhur me energjinë, Merz tha se qeveria po korrigjon gabimet e politikave të mëparshme, po zvogëlon varësitë dhe po diversifikon burimet e furnizimit, ndërsa energjitë e rinovueshme mbeten në qendër të kombinimit energjetik.
“Ne do të sigurojmë që Gjermania të ketë furnizim të sigurt me energji edhe në të ardhmen, me energji të rinovueshme”, tha ai.
Merz tha se ministrat po monitorojnë nivelet e rezervave të gazit dhe po zhvillojnë bisedime me kompanitë, por paralajmëroi kundër nxitjes publike të blerjeve nga paniku.
“Po marrim sinjale të qarta se furnizimi me energji dhe në veçanti furnizimi me gaz do të mbetet i sigurt në Gjermani gjatë dimrit dhe pikërisht mbi këtë bazohet strategjia e furnizimit e qeverisë federale”, tha ai.
“Ne nuk po e bëjmë këtë me shfaqje publike siç bëni ju, por në një mënyrë të përgjegjshme ndaj familjeve dhe buxheteve publike”, shtoi kancelari gjerman.



