Kurti fton për qasje konstruktive në raport me konstituimin e Kuvendit: T’i shmangim zgjedhjet

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Kurti ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për situatën rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka thënë se deklarata e përfaqësuesit të kësaj partie ishte, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Ai ka theksuar se propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.
“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përmendur edhe reagimet brenda grupit parlamentar lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe, duke thënë se ishte ngritur mundësia që ajo të ishte ndikuar nga “euforia” pas varrimit të Ratko Mlladiqit.
“Sido që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai lloj propozimi që u deklarua. Vetëm ai propozimi i cili është dërguar me shkrim është në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti ka thënë se çështja kryesore mbetet arritja e dakordimit për nënkryetarët e Kuvendit, duke shprehur shpresën se një marrëveshje do të arrihet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.



