Sali: Integrimi në BE nuk është vetëm proces i qeverive, Kuvendet janë në zemër të transformimit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Sali, ka theksuar rëndësinë e rolit të parlamenteve dhe bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Sali mori pjesë sot në Shkup në Konferencën e Tretë Parlamentare të Nivelit të Lartë, e cila i kushtohet bashkëpunimit rajonal dhe rolit të mbikëqyrjes efektive parlamentare në avancimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Në fjalën e tij, Sali theksoi se integrimi evropian nuk mund të shihet vetëm si përgjegjësi e qeverive, duke nënvizuar rolin që kanë kuvendet në miratimin e legjislacionit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave.

“Integrimi evropian nuk është proces vetëm i qeverive. Kuvendet janë në zemër të këtij transformimi – miratojnë legjislacionin, mbikëqyrin zbatimin e reformave dhe sigurojnë që institucionet të japin rezultate konkrete për qytetarët”, deklaroi Sali.

Sipas tij, në një periudhë kur zgjerimi i BE-së ka rikthyer rëndësinë e tij strategjike për Evropën, nevojitet një qasje më e bashkuar politike dhe institucione më të përgjegjshme.

“Në një moment kur zgjerimi ka rikthyer rëndësinë e tij strategjike për Evropën, na nevojitet konsensus i gjerë politik, institucione të përgjegjshme dhe bashkëpunim më i fuqishëm rajonal”, tha zëvendëskryeministri i parë.

Sali vlerësoi se forcimi i institucioneve parlamentare dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale janë të rëndësishme për përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Rruga jonë drejt BE-së do të jetë më e fuqishme me Kuvende të fuqizuara, institucione të përgjegjshme dhe qytetarë të mirëinformuar”, përfundoi Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button