11 vjet nga “Lagja e Trimave”, ende pa përgjigje për porositësit e rastit

Gati 11 vjet pas përleshjeve të armatosura në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, rasti vazhdon të mbetet i paqartë për opinionin, pavarësisht vendimeve gjyqësore dhe dënimeve të shqiptuara ndaj grupit të njohur si “Grupi i Kumanovës”.

Edhe pse ndër vite janë bërë thirrje të shumta për hetim ndërkombëtar nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe faktorë të tjerë politikë, një proces i tillë ende nuk është realizuar.

Pak muaj pasi mori mandatin si kryeministër, Zoran Zaev në vitin 2018 kishte premtuar se do të shqyrtohej mundësia për një hetim ndërkombëtar të rastit. Ai deklaronte se Qeveria kishte për qëllim të largonte çdo dilemë dhe paqartësi lidhur me vendimet gjyqësore që prekin interesin e qytetarëve.

Për nevojën e një hetimi të thellë ishte shprehur edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili kishte theksuar se rasti kërkon angazhim të hetuesisë ndërkombëtare për të zbardhur motivet dhe prapavijën e ngjarjes.

Ndërkohë, edhe ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, kishte deklaruar se Qeveria kishte marrë obligim të zhvillojë hetim plotësues ndërkombëtar, me qëllim që opinioni të mësojë të vërtetën për rastin.

Kërkesa të ngjashme për hetim ndërkombëtar kanë ardhur edhe nga Kosova, përfshirë ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeministrin aktual Albin Kurti. Mbështetje për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar kanë dhënë vazhdimisht edhe partitë politike shqiptare.

Familjarët e të dënuarve kanë protestuar disa herë në qytete të ndryshme, duke kërkuar rihapjen dhe ndërkombëtarizimin e hetimeve. Një protestë e tillë u mbajt edhe para objektit ku zhvillohej mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Për rastin “Lagja e Trimave”, gjykata shqiptoi gjithsej 746 vite burg për 33 të akuzuarit, prej të cilëve shtatë u dënuan me burgim të përjetshëm. Në përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 mbetën të vrarë 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe tetë policë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button