Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë tri marrëveshje të reja bashkëpunimi në mbledhjen e përbashkët
Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi gjatë një takimi të përbashkët të qeverive të dy vendeve fqinje të hënën në Prishtinë.
Ato nënshkruan marrëveshje në fushën e energjisë dhe atë të arsimit, si dhe një protokoll për lehtësimin e lëvizjes së lirë – që do të zbatohen nga janari 2025, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Duke folur gjatë takimit të dytë ndërqeveritar mes vendeve të tyre, Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, lartësuan bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të tyre duke e cilësuar si “familjar”.
Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i marrëveshjeve”.
“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, tha Kurti.
Ai tha se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.
Pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.
Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri maqedonas tha se kanë treg të përbashkët prej 17-18 milionë euro, dhe shtoi se u pajtua me Kurtin gjatë një takimi dypalësh që ky bashkëpunim tregtar të rritet në rreth 500 milionë euro.
“Nëse punojmë së bashku do të jemi më të fuqishëm, meqë uniteti i bën fqinjët edhe më të fuqishëm. Synojmë që bashkëpunimi tregtar të jetë edhe më i madh në vitet në vijim dhe do të na sjellë përfitime. Jam i bindur që do t’ia dalim”, tha Mickoski.
Ai shtoi se “marrëdhëniet mes dy shteteve tona, lidhjet jo vetëm shtetërore por edhe familjare midis popujve në të dyja anët e kufirit, mendoj se janë vlerë e shtuar dhe urë që do të na përafrojë edhe më shumë në vitet e ardhshëm”.