Irani: Kryediplomatët arabë të hënën në Oman do të nënshkruajnë marrëveshjen për lundrimin në Hormuz

Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, ka bërë të ditur se ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve arabe do të takohen të hënën në kryeqytetin Muskat të Omanit për të nënshkruar një marrëveshje që përcakton një rrugë të përbashkët lundrimi Iran-Oman përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.

“Këtë javë, të hënën, kryediplomatët e vendeve arabe do të takohen në Muskat për të nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një rruge të përbashkët mes Omanit dhe Iranit në Ngushticën e Hormuzit dhe për të njoftuar Organizatën Ndërkombëtare Detare për marrëveshjen”, tha Pezeshkian në një intervistë për transmetuesin indian India Today.

“Në këtë takim do të marrin pjesë edhe vendet, territoret e të cilave u përdorën nga SHBA-ja për të nisur sulme kundër nesh”, shtoi ai.

Duke komentuar luftën me SHBA-në dhe presionin ekonomik të ushtruar ndaj Iranit, Pezeshkian tha se Washingtoni nuk ka arritur t’i realizojë objektivat e tij ushtarakisht dhe për këtë arsye po përdor masa ekonomike.

“Ata nuk mundën t’i arrinin objektivat e tyre përmes luftës, prandaj iu drejtuan presionit ekonomik, por ne nuk do të ndalemi”, tha ai.

Sa i përket bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, presidenti iranian tha se vendi i tij nuk është tërësisht i varur nga rrugët detare.

“Rrugët detare sigurisht nuk janë diçka nga e cila varet mbijetesa jonë dhe ata nuk do të mund t’i arrijnë objektivat e tyre as në këtë mënyrë”, tha ai.

Pezeshkian tha se Irani do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit kur SHBA-ja t’i japë fund bllokadës dhe sulmeve.

Dje, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, tha se Omani do të presë të hënën një takim ministror rajonal, me pjesëmarrjen e tetë vendeve që kufizohen me Gjirin.

Baqaei tha se në takim do të diskutohen çështjet rajonale dhe rezultatet e bisedimeve iraniano-omane për përcaktimin e rrugëve të sigurta për anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Ai tha se Irani po punon për të garantuar sigurinë në këtë rrugë ujore, por këmbënguli se siguria e anijeve nuk mund të garantohet për sa kohë që vazhdojnë bllokada detare dhe ndërhyrja ushtarake e SHBA-së.

Nga Omani nuk pati konfirmim të menjëhershëm për takimin e së hënës.

Të hënën e kaluar, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, tha se një marrëveshje me Omanin për një korridor të ri përmes Ngushticës së Hormuzit do të nënshkruhej brenda pak ditësh.

Rezaei tha se hyrja dhe dalja e korridorit të propozuar do të jenë nën kontrollin iranian.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button