150 automjete të reja për Ndihmën e Shpejtë, paralajmëron Klekovski

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, zhvilloi takim me përfaqësues të Shoqatës Evropiane dhe Shoqatës Maqedonase për Mjekësi Urgjente, ku prezantoi hapat kryesorë të reformës së planifikuar të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në vend.
Në takim morën pjesë kryetari i Shoqatës Evropiane për Mjekësi Urgjente – EUSEM, dr. Robert Liç, dhe kryetarja e Shoqatës Maqedonase për Mjekësi Urgjente – MZUM 2025, dr. Vesna Krstevska.
Klekovski paralajmëroi disa ndryshime të rëndësishme në organizimin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, ndër të cilat ndarjen e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Shkupit nga Shtëpia e Shëndetit Shkup dhe shndërrimin e saj në një njësi të veçantë organizative, si dhe futjen e një sistemi të bazuar te paramedikët.
Një nga hapat më të mëdhenj të reformës është rinovimi i flotës së automjeteve. Parashikohet blerja e 100 automjeteve të reja, ndërsa në fazën e ardhshme edhe 50 automjete shtesë për nevojat e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
Planifikohet gjithashtu riorganizimi i Qendrës Urgjente pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza”.
Ministria po analizon edhe modelet evropiane të organizimit të mjekësisë urgjente, ndër të cilat modelin slloven me qendër kombëtare dispeçerike dhe sistemin rumun me shërbime të specializuara urgjente.
Në kuadër të reformës po shqyrtohen edhe zgjidhje për zonat që deri tani nuk janë përfshirë plotësisht në sistem, përfshirë edhe shpëtimin malor.
Shoqata Evropiane për Mjekësi Urgjente ka ofruar bashkëpunim dhe mbështetje ekspertësh në këtë proces, ndërsa në takim u përshëndet edhe themelimi i Shoqatës Maqedonase për Mjekësi Urgjente.
Klekovski theksoi se përmirësimi i këtij segmenti të sistemit shëndetësor është një nga prioritetet e rëndësishme.
“Mjekësia urgjente është linja e parë e sistemit shëndetësor dhe aty reformat maten me jetë të shpëtuara”, deklaroi Klekovski.



