Zonja e parë e Turqisë përuron qendrën kulturore të Institutit “Yunus Emre” në Seul

Zonja e parë e Turqisë, Emine Erdogan përuroi sot zyrtarisht qendrën kulturore të Institutit “Yunus Emre” (YEE) në Seul të Koresë së Jugut, gjatë vizitës së saj në këtë vend, ku shoqëron presidentin Recep Tayyip Erdogan, raporton Anadolu.
Me mbërritjen e saj në qendër, Emine Erdogan u prit nga presidenti i Institutit “Yunus Emre”, Selim Argun, drejtuesi i Departamentit të Kulturës, Ali Riza Karabag si dhe zyrtarë të tjerë. Pas prerjes së shiritit për hapjen zyrtare të qendrës, ajo vizitoi një klasë ku studentët koreano-jugorë po mësonin gjuhën turke dhe bashkëbisedoi me ta.
Ajo dëgjoi një dialog në gjuhën turke mes dy studentëve koreano-jugorë dhe i duartrokiti për paraqitjen e tyre.
Emine Erdogan ndoqi gjithashtu një demonstrim të drejtpërdrejtë të artit tradicional turk të ebrusë, teknikës së dekorimit të letrës me motive të krijuara mbi ujë, nga artisti Hikmet Kadir Bozok si dhe kontribuoi në realizimin e veprës së tij artistike.
Ajo pozoi për fotografi me studentët duke bërë gjestin e zemrës me gishta, që formohet duke bashkuar majat e gishtit të madh dhe gishtit tregues. Ky gjest e ka origjinën në Korenë e Jugut dhe është përhapur në mbarë botën.
Emine Erdogan u tha studentëve se personat që mësojnë gjuhën turke do të shërbejnë si ambasadorë mes Turqisë dhe Koresë së Jugut. Në një postim në platformën turke të mediave sociale NSosyal, pas aktivitetit, zonja e parë përshëndeti hapjen e Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Seul, duke e cilësuar institutin si një urë lidhëse mes kulturave.
“Shpresoj që Qendra Kulturore Turke ‘Yunus Emre’ në Seul, e themeluar nga Instituti ynë ‘Yunus Emre’ në Korenë e Jugut, të sjellë rezultate pozitive për të dy vendet mike”, tha ajo.
“Takimi me studentë të interesuar për gjuhën tonë dhe të dëshmuarit se sa bukur gjejnë jehonë gjuha dhe kultura jonë në vende të largëta të botës është vërtet me vlerë”, tha Zonja e parë turke.
Ajo shtoi se instituti nuk i njeh njerëzit vetëm me një gjuhë tjetër, por edhe me mënyra të ndryshme jetese dhe këndvështrime të tjera, ndërsa promovon trashëgiminë kulturore dhe qytetëruese të Turqisë në mbarë botën. “Lidhjet që krijohen mes njerëzve që mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit, dëgjojnë historitë e njëri-tjetrit dhe kuptojnë vlerat e njëri-tjetrit, përbëjnë bazën më të fortë të miqësisë mes vendeve”, tha ajo.
Emine Erdogan shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë anëtarët e Institutit “Yunus Emre” që punojnë në mbarë botën. “Shpreh falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë anëtarët e Institutit tonë “Yunus Emre”, të cilët punojnë me përkushtim në mbarë botën me këtë frymë”, shtoi ajo.



