Abdul El-Sayed bëhet myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan

Demokrati progresist me origjinë egjiptiano-amerikane, Abdul El-Sayed, ka fituar të mërkurën një nga vendet më të lakmuara në Senatin amerikan, në Miçigan, duke u bërë myslimani i parë që do të shërbejë në dhomën e lartë të Kongresit nga janari.
El-Sayed shpalli fitoren kur ishin numëruar 80 për qind e votave, duke kryesuar me 51,8 për qind kundrejt rivalit të tij republikan, Mike Rogers, i cili kishte marrë 46,2 për qind. Associated Press e shpalli fitues El-Sayedin në orën 02:27 sipas kohës lindore amerikane (07:27 GMT).
“Jam jashtëzakonisht krenar dhe i nderuar që qëndroj këtu si senatori juaj i zgjedhur”, deklaroi Sayed në fjalimin e fitores, duke thënë se kishte arritur të kapërcente fyerjet islamofobe të drejtuara ndaj tij nga presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
“Për të gjithë prindërit që kanë pasur vështirësi t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre pse presidenti tallej hapur me dikë për emrin e tij ose për mënyrën se si lutet, tregojuni nesër se të këqijtë humbën”, tha ai mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve.
“Ata duan një Amerikë që është tepër e vogël për disa prej nesh. Ne e dimë se Amerika është mjaftueshëm e madhe për të gjithë ne”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur duartrokitjeve të publikut, Sayed iu drejtua drejtpërdrejt Vance dhe Trumpit.
“JD, habibi, ekziston një ironi e këndshme në faktin se, sipas Kushtetutës, ti je i detyruar të më betosh në detyrë në janar”, tha ai.
Ndërsa Trumpit iu drejtua me fjalët: “Donald, e di që e ke të vështirë ta shqiptosh emrin tim, kështu që, pasi JD të më betojë në detyrë në janar, mund të më quash thjesht senator”.
Fitorja e Sayed shënon një moment të rëndësishëm në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.
Demokrati progresist tronditi establishmentin e partisë kur, në zgjedhjet paraprake të gushtit, mposhti me një diferencë të ngushtë Haley Stevens, e cila mbështetej nga grupe lobuese pro Izraelit. Sayed kishte marrë mbështetje të hershme nga Bernie Sanders, senatori i Vermontit dhe një nga zërat kryesorë të krahut progresist në Senat.
Gjatë fushatës, ai sfidoi drejtpërdrejt Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC) dhe grupe të tjera lobuese pro Izraelit, të cilat shpenzuan dhjetëra miliona dollarë kundër tij.
“AIPAC-ut, që shpenzoi 42 milionë dollarë kundër nesh: faleminderit që na dhatë mundësinë t’ju mposhtim dy herë”, deklaroi ai.
“Ata përpiqen t’ju quajnë njerëz të mbushur me urrejtje nëse besoni se fëmijët palestinezë duhet të kenë mundësinë të rriten në tokën e paraardhësve të tyre, pa u vrarë nga paratë e taksave tona”, tha Sayed.
“Nëse besoni në të drejta të barabarta, paqe, dinjitet dhe vetëvendosje, kjo nuk është urrejtje, por dashuri”, shtoi ai.
“Ne duam që taksat tona të shpenzohen këtu. Nuk duam që paratë tona të dërgohen për të financuar aparteidin apo luftërat gjenocidale”, deklaroi demokrati.
Kjo garë rezultoi aq e rëndësishme saqë, sipas kryetarit të Partisë Demokratike në Miçigan, Curtis Hertel, në zgjedhjet paraprake votuan 500 mijë demokratë më shumë sesa në garat e mëparshme, të cilat zakonisht karakterizohen nga pjesëmarrje e ulët.
Në fazat e fundit të fushatës, Sayed mori edhe mbështetjen e ish-presidentit Barack Obama, i cili mbetet një nga figurat më të popullarizuara të establishmentit demokrat.
Kush është Abdul El-Sayed?
Emri i plotë i 42-vjeçarit është Abdulrahman Mohammed El-Sayed. Ai është i martuar me një mjeke me origjinë indiano-amerikane dhe ka dy vajza.
Kur u diplomua në Universitetin e Miçiganit dhe mbajti fjalimin e ceremonisë së diplomimit në vitin 2007, ish-presidenti Bill Clinton, i cili ishte folësi kryesor i aktivitetit, vlerësoi aftësitë e tij oratorike.
I lindur në Miçigan, Sayed më pas mori diplomën e mjekësisë në Universitetin Columbia dhe drejtoi departamentet e shëndetit publik në Detroit dhe në kontenë Wayne, përpara se të niste, në vitin 2025, një fushatë që konsiderohej me pak gjasa për sukses për Senatin amerikan.
Megjithatë, kjo nuk ishte përpjekja e tij e parë politike.
Në vitin 2018, Sayed kandidoi pa sukses për guvernator të Miçiganit, por arriti të hidhte themelet e vizionit të tij për programin “Medicare për të gjithë”, një sistem kombëtar sigurimi shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa primet e sigurimeve shëndetësore private janë rritur ndjeshëm në SHBA, kjo ide është bërë gjithnjë e më popullore si në të majtën, ashtu edhe në të djathtën politike. Po ashtu, është rritur mbështetja për kritikat e Sayed ndaj marrëdhënieve të ngushta SHBA–Izrael, një qëndrim i ngjashëm me atë të kryetarit të Bashkisë së Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, i cili gëzon popullaritet të madh.
Sayed ka deklaruar vazhdimisht se nuk është takuar kurrë me lobistë të korporatave dhe se, në të dyja fushatat e tij, ka pranuar financime vetëm nga donatorë individualë, jo nga korporatat.
“Ai është ndryshe”
Ndryshe nga Mamdani, Sayed nuk mori mbështetjen e organizatës Socialiste Demokratike të Amerikës, pasi kërkoi edhe përkrahjen e demokratëve të qendrës në një shtet me peshë të madhe elektorale dhe me rezultate të paparashikueshme si Miçigani.
Ai u shfaq në sa më shumë televizione, podkaste dhe platforma të ndikuesve në rrjetet sociale, me synimin për të arritur te sa më shumë segmente të publikut amerikan, pavarësisht përkatësisë politike.
Megjithatë, ai u përball me një vëmendje mediatike jashtëzakonisht intensive, e cila pa dashje e bëri më të njohur dhe ndoshta më tërheqës për votuesit sesa kundërshtarin e tij, ish-kongresmenin republikan Mike Rogers.
Rogers, i cili nuk u vu nën të njëjtin nivel shqyrtimi mediatik, mori mbështetjen e presidentit Donald Trump në një kohë kur nivelet e miratimit të presidentit kishin rënë në minimumin e tyre historik.
Trump e ka quajtur vazhdimisht Sayedin “një humbës komunist që urren hebrenjtë dhe Izraelin”. Ai ka këmbëngulur gjithashtu se do ta quajë vetëm “Mohammed”, duke pretenduar se ky është emri që mbajnë shumica e myslimanëve.
Republikanët kanë vënë në pikëpyetje edhe besnikërinë e Sayed ndaj Kushtetutës amerikane, duke pretenduar se ai kishte lidhje me Vëllazërinë Myslimane, për shkak të deklaratave të bëra dikur nga gjysmë motra e tij.
Megjithatë, nuk ka prova të njohura që e lidhin Sayedin me këtë organizatë, e cila nuk ka një qendër të vetme drejtuese dhe degët politike të së cilës nuk u shpallën organizata terroriste në SHBA deri vitin e kaluar, kur Trump vendosi sanksione ndaj tri prej tyre.
Në gusht, Sayed deklaroi se përqendrimi te emri dhe identiteti i tij ishte “e vetmja lojë që u ka mbetur” kundërshtarëve.
“Është sikur të thonë: ‘Uau, ai është ndryshe’”, tha ai, duke iu referuar sulmeve të republikanëve.
“Vërtet, kjo është gjëja më e mirë që keni? Nuk mund të flisni për atë që dëshironi të bëni? Emri im nuk po i rrit çmimet e benzinës. Emri im nuk po na çon në luftë. Emri im nuk është arsyeja pse nuk mund t’i përballoni shpenzimet për ushqime”. /MEE/


