Ministri spanjoll i Transportit njofton dorëheqjen pas aksidentit tragjik hekurudhor

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, ka njoftuar dorëheqjen e tij, pas aksidentit të trenit të shpejtësisë së lartë në Toledo, ku javën e kaluar humbën jetën 69 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan, transmeton Anadolu.
“Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pas dy aksidenteve brenda më pak se një viti, për arsye dinjiteti”, tha Puente para Komisionit të Përhershëm të Kongresit.
“Prandaj, vendimi im është një vendim i bazuar në dinjitetin politik dhe duhet të shihet si i tillë”, shtoi ai.
Siç raporton gazeta El Pais, Puente tha se fillimisht kishte vendosur të priste rezultatet e para të hetimit përpara se të njoftonte dorëheqjen.
Ai konfirmoi gjithashtu se nuk do të kandidojë si kandidat kryesor i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës në Valladolid në zgjedhjet e 29 nëntorit.
– Ministri mbron investimet në infrastrukturën hekurudhore
Gjatë fjalimit të tij, Puente mbrojti bilancin e qeverisë sa i përket infrastrukturës hekurudhore, duke hedhur poshtë pretendimet se linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë Madrid-Sevilje ishte lënë pas dore.
Ai tha se qeveria kishte nisur një plan modernizimi në vlerë prej 780 milionë eurosh (873 milionë dollarë) për këtë linjë, duke argumentuar se infrastruktura as nuk ishte braktisur dhe as nuk ishte lënë në harresë.
Aksidenti i 28 tetorit ndodhi kur një tren i shpejtësisë së lartë i kompanisë Renfe goditi pjesën e pasme të një treni Iryo, i cili ishte i ndaluar pranë Urda-s, në provincën e Toledos.
Puente tha se një defekt në sistemin automatik të mbrojtjes së trenave kishte bërë që trenat të ndalonin, përpara se një kontrollor të autorizonte trenin Renfe të rifillonte qarkullimin me shpejtësi normale.
Në janar, një tjetër aksident në të njëjtën linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë, që lidh Madridin me Seviljen, shkaktoi vdekjen e 46 personave.


