Sali në Berlin: Diaspora dhe investimet gjermane, mundësi për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Berlin, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe diasporës në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut, ku ka prezantuar mundësitë për bashkëpunim dhe investime të reja në vend.
Sali theksoi se partneritetet mund të zhvillohen në disa sektorë, veçanërisht në industri, energji të rinovueshme, bujqësi dhe shërbime digjitale.
“Besimi ndërtohet përmes institucioneve të besueshme, rregullave të qarta dhe bashkëpunimit që sjell rezultate”, deklaroi Sali, duke falënderuar Biznes Klubin Gjermani–Maqedonia e Veriut për organizimin e takimit dhe krijimin e hapësirës për dialog.
Ai gjithashtu vlerësoi se procesi i integrimit evropian përbën një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa reformat dhe përafrimi me standardet evropiane duhet të garantojnë siguri më të madhe për investitorët, mundësi për bizneset dhe vende pune cilësore për qytetarët.
Duke folur për rolin e diasporës, Sali theksoi se ajo përbën një urë të rëndësishme mes dy vendeve, falë përvojës dhe lidhjeve profesionale që mund të shndërrohen në projekte konkrete dhe partneritete afatgjata.

