Gjermani, opozita bën thirrje për zgjedhje të parakohshme pas rënies së koalicionit qeveritar
Blloku më i madh opozitar i Gjermanisë ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në janar pas rënies së papritur të qeverisë së koalicionit në vend, raporton Anadolu.
Friedrich Merz, kreu i Unionit Kristian Demokrat (CDU), tha sot se kancelari Olaf Scholz duhet të kërkojë menjëherë një votëbesim në parlament pas shpërbërjes së koalicionit të tij.
“Grupi parlamentar CDU/CSU ka vendosur unanimisht t’i kërkojë kancelarit që të thërrasë për një votëbesim menjëherë, më së voni në fillim të javës së ardhshme”, u tha Merz gazetarëve.
“Ne mund të mbajmë zgjedhje federale në gjysmën e dytë të janarit të vitit të ardhshëm. Besojmë se ka kohë të mjaftueshme për këtë. Puna përgatitore në të gjitha partitë është e mjaftueshme”, shtoi ai.
Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të udhëhequr nga Scholz u prish të mërkurën në mbrëmje mes përshkallëzimit të tensioneve me partnerin e vogël të koalicionit, Partinë Demokratike të Lirë (FDP) me orientim liberal, mbi politikën ekonomike dhe financiare.
Scholz largoi ministrin liberal të Financave, Christian Lindner nga kabineti i tij, duke e akuzuar atë si “të pabesueshëm” dhe përdorues të “taktikave të vogla politike” për të bllokuar përpjekjet për të arritur kompromis midis partnerëve të koalicionit.
Pas shkarkimit të Lindnerit, të gjithë ministrat e FDP-së u tërhoqën nga kabineti.
Koalicioni trepalësh i Gjermanisë midis Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe FDP-së kishte kohë që po përballej me tensione të brendshme për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin, programet e mirëqenies, qëllimet ambicioze të klimës dhe çështjen e diskutueshme të borxhit të ri për financimin e investimeve.
Të mërkurën mbrëma, Scholz njoftoi se do të kërkonte një votëbesimi në janar, duke hapur mundësinë për zgjedhje të parakohshme më së voni deri në mars. “Që në javën e parë të seancës parlamentare në vitin e ri do të paraqes votëbesimin në mënyrë që Bundestagu ta votojë më 15 janar”, tha Scholz.
“Kjo do t’u mundësojë anëtarëve të Bundestagut të vendosin nëse do të hapin rrugën për zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje mund të zhvillohen më së voni deri në fund të marsit”, deklaroi kancelari gjerman.