FNA: Skandal në Universitetin e Tetovës/ Arbresha Bexheti Ferati – bashkëshortja e kryetarit të Senatit u anvancua me mbi 15 shkelje

Forumi për Ndryshime në Arsim ka raportuar për një avancim të kundërligjshëm në Universitetin e Tetovës, bazuar në raprotin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, ata raportojnë se Arbresha Bexheti Ferati, e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht bashkëshorte e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës ka arritur që të avancohet në tituj akademik në kundërshtim të më shumë se 15 dispozitave ligjore dhe statutare. Nga ana tjetër, Nevzat Elezi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UT ka theksuar se procedura nuk ka mbaruar ende, transmeton Portalb.mk.

FNA-ja thotë se këtë e ka mundësuar Këshilli Shkencor i Fakultetit të Mjekësisë, Senati i Universitetit dhe Komisioni Recenzues.

Blendi Hodai tha se shkeljet janë të shumta, andaj i përmemndi në rrjedhë kronologjike:

“Viti 2022, Senati i Universitetit të Tetovës zhveshet nga kompetencat ligjore dhe i njeh Arbresha Bexheti Feratit titullin ‘profesor inordinar’ të fituar në Beograd, Serbi, pa verifikuar nëse kandidatja i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore.

Pa qenë e sigurt se e meritonte titullin paraprak, Arbresha Bexheti Ferati synoi për më lart.

Andaj, në fund të vitit 2025, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi pa kompetence ligjore shpall konkurs për zgjedhje në thirrjen akademike ‘profesor i rregullt’. Konkursi u publikua në shtypin ditor dhe ueb-faqjen e universitetit në data të ndryshme ndërsa kandidatë kërkoheshin për 3 fusha shkencore në vend se për 1 siç thotë ligji.

Befas, aplikon vetëm një kandidate, Arbresha Bexheti Ferati. Saga e shkeljeve ligjore vazhdon me krijimin e Komisionit Recenzues në përbërje Nevzat EleziZhaklina Cekovska dhe Nexhbedin Beadini që do të vlerësonin për avancimin ose jo të Bexheti Feratit.

Foto: Forumi për Ndryshime në Arsim
Foto: Forumi për Ndryshime në Arsim

Ndërkohë që ligji kërkon që shumica, pra 2 prej 3 e anëtarëve të Komisionit Recenzues të jenë të fushës që zgjidhet kandidati, asnjë prej tyre nuk i përkiste fushës së mjekësisë sociale dhe fushës së emëruar si ‘tjetër’ ndërsa një prej 3 anëtarëve ishte i fushës së biologjisë, që nuk i përket fare mjekësisë bazë.

Gjetjet në referatin e përpiluar nga këto 3 anëtarë thellojnë skandalin, si dëshmi për zgjedhjen e mëhershme akademike të kandidates Arbresha Bexheti Ferati kanë shënuar buletinin 166 ndërsa kur inspektorët hapën buletinin; u shfaq emri i bashkëshortit të saj, kryetarit aktual të Senatit të UT-së, Kenan Feratit.

Tejet shqetësues është edhe fakti që Arbresha Bexheti Ferati nuk ka arritur të ofrojë dëshmi për kryerjen e ciklit të dytë arsimor ndërsa referati gjithashtu nuk ka pasë informata nëse doktorata e Bexheti Feratit është në përputhje me nevojat e thirrjes së synuar akademike.

Komisioni Recensues nuk arriti të verifikojë nëse Arbresha Bexheti Ferati plotësonte kushtet qoftë për njërën prej 3 fushave në këtë konkurs. Por megjithatë propozoi që ajo të zgjidhet profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me krejt këto anomali të lartëpërmendura, me një referat tejet problematik dhe gjysmak, Këshilli Mësimor Shkencor më 8 prill të vitit 2026 vendosi që Arbresha Bexheti Feratit t’ia jep titullin akademik profesor i rregullt. Theksojmë se të njëjtën ditë ka filluar edhe inspektimi i cili ka zgjatur 7 ditë”.

Hodai tha se Rektori i UT-së Jusuf Zejneli, duhet të bashkëpunojë me organet inspektuese, siç tha kanë informata se ë ai ka refuzuar të nënshkruajë procesverbalin për inspektimin e kryer.

“Zejneli gjithashtu të mbajë përgjegjësi që i gjithë ky zinxhir shkeljesh ligjore ka ndodhur pikërisht në kohën kur ai udhëheq me universitetin. Këtu nuk kemi të bëjmë me rast individual, por me një skemë mirë të organizuar. Përpos shkeljeve të Ligjit për Arsim të Lartë, FNA-ja i bën thirrje Prokurorisë Publike të hetojë shkelje të mundshme penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare, potencialisht falsifikim të dokumenteve si dhe konfliktit të interesit”, tha Hodai.

FNA kërkon nga Universiteti i Tetovës që menjëherë të anulojë thirrjen e fundit akademike të Arbresha Bexheti Feratit ndërsa pas kësaj Inspektorati i Arsimit të hulumtojë nëse ajo i plotëson kushtet për titullin profesor inordinar, ndërsa bashkëshorti i saj, Kenan Ferati, të shkarkohet nga posti kryetar i Senatit derisa ky rast të merr epilog përfundimtar.

Nga ana tjetër, Nevzat Elezi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UT për reagimin e FNA-së lidhur me Arbresha Bexheti Feratin tha se procedura nuk ka mbaruar ende.

“Dy nga anëtarët, pra unë dhe profesoresha nga Shkupi jemi të lëndës dhe një i përafërt që i plotëson kushtet sipas ligjit ekzistues… Pra Komisioni Recensuese i ka pasur gjitha dëshmitë para sjelljes së vendimit, edhe referati kur është formuar ka pasur dokumentacionin që është i kapshëm për çdo individ dhe i njëjti ka qenë i publikuar në buletinin ne Universitetit të Tetovës dhe nuk ka asgjë të fshehur”, tha Elezi.

Në videon më poshtë e gjeni deklaratën e plotë të Dekanit.

Për këtë çështje Portalb.mk u drejtua te Ministria e Arsimit si dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit, por deri në publikimin e kësaj storje nga asnjëri institucion nuk morëm përgjigje.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që FNA-ja publikon parregullsi nga Universiteti i Tetovës, ata në disa raste kanë raportuar për shkelje të ndryshme.

Ndryshe, Forumi për Ndryshime në Arsim vazhdimisht monitoron, raporton dhe publikon parregullsitë në arsimin e lartë dhe nëpër universitetet në vend.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button